Nga Marin Meksi
Vendet tona kanë një histori të ngjashme dhe duket se fatet e tyre kanë qenë pazgjidhshmërisht të lidhura, që nga Mesjeta e deri në periudhën e përgjakshme të komunizmit të egër. Në momente të rëndesishme, vendimtare, për fatet e njërit apo tjetrit komb, ndihmesa reciproke ka qenë gjithnjë e pranishme.
Që prej mesjetës, princi Vlad Cepesh (Țepeș), Vojvod i Vallahisë dhe Skënderbeu, Princi i Arbërisë, të bashkuar edhe nën ” Vëllazërinë e Dragoit”, në emër të lirisë, mbrojtjes së identitetin dhe mbi të gjitha, krishterimit, krijuan dhe forcuan aleancën okulte kundër armikut të përbashkët.
Më vonë, më 1773, një ndër dinastitë më të njohura me origjinë shqiptare, ajo e Gjikajve, do të sundonte për breza me rradhë në principatatat danubiane, ku përmendet Grigor Gjika i cili kaloi nga froni i Moldavisë në atë të Vallahisë e konsideruar nga shumë studiues dhe historianë si një ndër bazat e bashkimit të Rumanisë. Një rol të rëndësishëm në fatet e këtij vendi ka patur edhe Grigor Gjika i III-të, të cilit iu pre koka, pse kundërshtoi shitjen e Bukovinës tek Perandoria Austro-Hungareze. Grigore Gjika i IV-rt qëndroi në fron deri në pushtimin e Rumanisë prej Rusisë (1828-1834), ndërsa më vonë, Aleksander Gjika i II-të u bë regjent i Vallahisë deri më 1858.
Në fillim të viteve 1800, Rumania dhe Shqipëria i dhanë botës një tjetër personalitet të rëndësishëm, Vangjel Zhapën (Evanghelie Zappa), i cili u bë themeluesi i Lojrave Olimpike Moderne, por edhe një ndër filantropët më të mëdhenj të kohërave për Greqinë e Rumaninë. I biri i Sotira Meksit, nga Labova e Madhe, apo, siç njihet sot, Labova e Zhapës, shëroi të bijën e Princ Moruzit nga gangrena dhe shpërblimi për këtë gjest ishte dhe fillesa e pasurimit të tij. Ai u bë një ndër njerëzit më të pasur në Evropë dhe e shleu detyrimin moral ndaj Rumanisë duke duke ndërtuar, shkolla, akademinë rumune, kisha etj.
Vangjel Zhapa, investoi për përsosjen e alfabetit rumun, flotën detare, teatrin rumun. Zhapa ndihmoi Naum Veqilharxhin, duke i dhuruar shumën prej 25 mijë napolona ari për alfabetin shqip. Ne librin’’Onoare lui Evanghelie Zappa”, akademiku Nicolae Postolache, shkruan: Në testamentin dhe epitafin e Zhapës kemi në Rumani, një pjesë të madhe të mendimit të tij, jo vetëm nëpërmjet statujave të mermerta e të bronxta. Këto gjurmë materiale nuk janë lavde për të ndjerin, por ato zgjasin në përjetësi zërin e Zhappës, përmes atyre ai shpall publikisht epokën moderne në fusha të ndryshme, duke përfshirë këtu epokën e Lojrave të Mëdha Olimpike, të cilat vazhdojnë edhe sot.”
Kjo bashkëjetesë e ngushtë mes popujve tanë, kjo marrëdhënie e ngushtë historike mes shteteve tona, ka mundesuar edhe kushtet për fillesën e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të nacionalizmit shqiptar në kohën kur ky vend ishte nën sundimin osman. Kjo lëvizje u fuqizua veçanërisht falë iniciativave kulturore të personaliteteteve të tilla si Dora d’Istria (Elena Gjika), Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Naum Veqilharxhi, i cili, më 1844 botoi edhe të parin aflabet të gjuhës shqipe. Më vonë, gjatë periudhës kur shqiptarët ishin ende nën sundimin osman, disa intelektualë të këtij kombi zhvilluan një teori politiko-historike, sipas të cilës shqiptarët dhe rumunët, ’’vëllezër gjaku më prejardhje të përbashkët” duhet të luftonin bashkarisht për çlirimin e territoreve të cilat ishin nën pushtimin otoman. Kjo iniciativë shqiptaro-rumune u shfrytëzua mjeshtërisht nga Perandoria Austro-Hungareze më 1897.
Në Rumaninë e fundit të viteve 1800 ishin afro 30 mijë shqiptarë, numër ky i cili mundësoi edhe fillesën e një lëvizjeje për pavarësinë e Shqipërisë nën drejtimin e princit Albert Gjika, pretendent për fronin e Shqipërisë.
Më 1912 Ismail Qemali do të merrte pjesë në Kongresin mbarëshqiptar në Bukuresht, ku u miratua edhe e para rezolutë për Pavarësinë e Shqipërisë. Në po atë vit, një tjetër personalitet i njohur i Rilindjes Shqiptare, Aleksander Stavre Drenova (Asdreni) shkroi edhe vargjet e himnit kombëtar shqiptar, muzika e të cilit është kompozuar nga Ciprian Porumbescu (Qiprian Porumbesku). Edhe më vonë, pas krijimit të të parit shtet të pavarur shqiptar, gjenden këto lidhje të ngushta mes Shqipërisë dhe Rumanisë.
Më 1907, me iniciativën dhe në shtëpinë e Kristo Meksit në Bukuresht, u themelua Komiteti për Çlirimin e Shqipërisë. Më 27 tetor 1912 ishte po ky, Kristo Meksi i cili priti në Bukuresht Ismail Qemalin bashkë me Luigj Gurakuqin, të ardhur nga Trieste, për organizimin e komunitetit shqiptar në Bukuresht dhe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kristo Meksi, i dorëzoi Ismail Qemalit ndihmesën prej 500 mijë franga ari që Tache Ionescu (Taqe Jonesku), asokohe kryeministër i Rumanisë, i dha atij si ndihmë për shtetin e pavarur shqiptar.
Kjo rol i rëndësishëm i Kristo Meksit është përmendur në dy vëllime, në ’’E drejta e kombit shqiptar për liri dhe tërësi territoriale”, botuar në Bukuresht, më 1918 dhe në një memorandum për paqen drejtuar Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës.
Ndërkohe rezultati i Revolucionit të 1848 në Rumani dhe më pas krijimi i Lozhës së Rregullt Masonike të Rumanisë në 1880 bëri të mundur që kjo dritë mendimi sërisht të vinte nga Bukureshti në Shqipëri si një garanci dhe gurë themeli për ndërtimin e një shoqërie në “Liri Barazi dhe Vëllazëri nga Nikolla Naço, drejtues i Shoqërisë Shqiptare ”Drita”. Ai ka qenë njëherësh edhe drejtor i Shkollës normale, hapur më 1892, si edhe botues i gazëtës ”Shqiptari” (Albanezul), e cila doli më ndërprerje nga 1888 deri më 1903.
Në mbyllje, duke konkluduar këtë kumtesë mbi marrëdhëniet e ngushta dhe të forta që kanë ekzistuar gjithnjë mes dy vendeve tona, duke folur për këtë lidhje të vazhdueshme dhe multidimensionale, që nga ndihmesa për ruajtjen e besimit dhe të identitetit, tek ajo për shkollat e për pavarësinë, uroj të vazhdojmë gjithnjë kështu, për t’i bërë ballë sfidave të këtyre kohëve të vështira, jo vetëm për në, por për të gjithë Evropën e më gjerë.
International Symposium: ‘Cultural confluences at the lower Danube, history, traditions, comunities’
Brăila, 29 qershor 2025