“Shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se nuk janë përçues të interesave turke, arabe dhe persiane”

Nga Xhelal Zejneli

“Shqiptarët duhet ta bindin Perëndimin se nuk janë të tillë siç i paraqet propaganda serbe. Për dallim nga myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm.

Shqiptarët i bashkon gjuha, prejardhja e përbashkët, autoktonia, lashtësia, historia, heronjtë kombëtarë, virtytet, traditat dhe plagët që u kanë shkaktuar dhimbje të përbashkëta. Plagë të shqiptarëve janë: sundimi osman, kolonializmi serbosllav, pushtimi grek dhe pasojat e gjithë kësaj – sundimi i shqiptar mbi shqiptarët (diktaturat shqiptare). Shqiptarët i bashkon ëndrra historike e përbashkët – bashkimi kombëtar dhe integrimi në familjen perëndimore.

Shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije Perëndimit se:

– Nuk janë përçues të interesave turke, arabe dhe persiane në Gadishull dhe në kontinentin e vjetër;
– Nuk janë përçues të vlerave islamike në rajon;
– Kultivojnë vlera perëndimore dhe evropiane;
– Funksionojnë me vlera perëndimore, përkatësisht evropiane;
– Janë popull me potencial shtetformues solid;

– Janë popull me tri fe, por që i bashkon: gjuha, prejardhja ilire, epoka e Gjergj Kastriotit (1405-1468), periudha e Rilindjes Kombëtare, Vlora e 1912-tës, ideali për bashkim kombëtar dhe përkushtimi për t’iu bashkëngjitur Perëndimit;

– Popull, klasa politike dhe intelektuale e të cilit nuk i mbështet aspak segmentet e caktuara të shoqërisë, të cilat herë-herë manifestojnë radikalizëm apo fundamentalizëm islamik;

– Popull, klasa politike dhe intelektuale e të cilit nuk i mbështet fare strukturat e caktuara të shoqërisë, të cilat kohë pas kohe manifestojnë qëndrime antiperëndimore, antiamerikane dhe antihebraike;
– Popull me ideal kombëtar hyjnor;

– Popull që synon të funksionojë me makrovlera, me makrostruktura dhe me makrosisteme dhe jo me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme;

– Popull që nuk synon të krijojë borgjezi brenda natës;
– Popull që korrupsionin mundohet ta luftojë në mënyrë efektive;
– Popull që pandërprerë i zhvillon proceset demokratike;
– Popull që është mbështetës i natyrshëm i interesave perëndimore në rajon;
– Popull që kultivon vlera perëndimore dhe që funksionon me sistem perëndimor të vlerave”.