E diela e 7 janarit ishte mjaft e veçantë për komunitetin shqiptar në Queens të Nju Jork-ut, pasi u inaugurua shkolla “Fol Shqip”.
Mbi 60 fëmijë të regjistuar nga mosha 4 deri në 21 vjeç shfaqën interes për të mësuar dhe përvetësuar gjuhën shqipe.
Iniciativën për këtë nismë e mori “Shoqata Besi”, e cila shërben si qendër kulturore dhe mbështetëse për komunitetin shqiptar me origjinë nga fshati Besa në Mal të Zi.
Por në shkollën “Fol Shqip” nuk ka kufizime, pasi të gjithë fëmijët e interesuar në mësimin e gjuhës shqipe mund të bëhen pjesë.
Dhe jo vetëm kaq.
Për të ruajtur traditën dhe kulturën, përveç orëve të mësimit të shqipes – “Shkolla Fol Shqip” ofron edhe klasat e kërcimit, ku fëmijët shqiptarë mësojnë të kërcejnë vallet e njohura shqiptare.
Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të shoqatës “Besi”, Mirsad Hasanaj u shpreh se “për shumë vite dhe deri sot, banorëve të viseve shqiptare në Mal të Zi dhe bashkë me të edhe fshatit Besë, i ishte ndaluar shkollimi në gjuhën shqipe. Gjenerata të tëra kaluan me një dëshirë të tillë, por kurrë nuk arritën ta realizojnë, sepse regjimi jugosllav për shkaqe të asimilimit nuk e lejonte një gjë të tillë.”
Më tej ai shton:
Në mërgim banorët nga fshati Besa u organizuan dhe krijuan shoqatën me emrin e tyre “Shoqata Besi”. Frymëzimi i tyre për mbijetesën e gjenezës shqiptare nuk u shkua kurrë, ku mbas themelimit të shoqatës, u organizuan mjaft aktivitete për komunitetin, ku ndër ta ishte edhe hapja e një shkolle shqip.
Mbas shumë përpjekjeve dhe mundimeve, arrit qëllimi dhe hapja e shkollës u bë realitet. Qëllimi i mëtejshëm nuk është vetëm për t’u ndaluar në gjuhën shqipe dhe vallëzim, por edhe në edukimin e shqiptarëve të diasporës me lëndë të tjera që frymëzojnë dhe forcojnë identitetin kombëtar shqiptar.
Iniciativa e tyre është përshëndetur nga qindra – mijëra shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe njëkohësisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri dhe Ministria e Diasporës.