24 vjet pas luftës, pesë familjeve shqiptare në veri po u ndërtohen shtëpitë nga Qeveria e Kosovës. Nga vendimi i 27 shtatorit kanë përfituar edhe 20 familje të tjera, të cilave po iu rinovohen shtëpitë. Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë bërë të ditur se së shpejti do të hapet një thirrje tjetër në vlerë 3 milionë euro“A e di sa na kanë lehtësuar neve policia. Se tash këtu e thirri shumë shpejt”, shprehet një banor i fshatit Cerajë i Komunës së Leposaviqit.
Përveç sigurisë, e cila është rritur me praninë e shtuar të policisë, në këtë fshat po ndërtohen edhe shtëpi të reja.
Bashkim Ibrahimi jeton tash e sa vjet në shtëpinë e të vëllait, që për fqinj të parë ka disa serbë. Së shpejti ai do të bëhet me strehë, pasi është njëri prej përfituesve të subvencionit nga Qeveria e Kosovës. Më 27 shtator Qeveria e Kosovës mori vendim që të rindërtohen dhe të rinovohen shtëpitë e dëmtuara në veri gjatë viteve të luftës 1998-1999.
“Faktikisht nuk kam pasë shtëpi këtu hiç, shumë ia ka vlejtë t’ua jap mundësinë me jetu dhe me punu këtu edhe me u zhvillu që i kanë bërë nëse kanë mundësi me ndërtu edhe të tjera me u kthy sa më shumë banorë. Nëse dikush nga Serbia mundet me investu këtu për popull që nuk janë të Kosovës, pse mos ta bëjnë edhe këta tonët, ky ka qenë hapi më i qëlluar me do punësime edhe me ndërtimin e këtyre shtëpive ndoshta kjo ka qenë dashur të bëhej para 20 vjetëve, por s’e kanë bërë, është bërë tash, është i mirëseardhur si projekt, edhe ne ndihemi mirë”, ka thënë Ibrahimi.
Muharrem Muharremi nga fshati Bistricë është një tjetër përfitues. Atij i është djegur shtëpia gjatë luftës në Kosovë.
“Jemi shumë të lumtur që na kanë dhënë këtë mundësi nga Qeveria jonë e Republikës së Kosovës që kanë fillu me u ndërtu shtëpitë dhe me u kthy popullata jonë në fshatrat të cilat kanë qenë të braktisura deri më sot. Qe 24 vjet askush nuk ka marrë asnjë hap me i ndërtu shtëpitë, ku gjatë luftës na u kanë djegur shtëpitë dhe ende janë mbeturinat qashtu qysh kanë ekzistu”, ka thënë Muharremi.
Alban Uka, këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, të dielën ka vizituar disa nga vendpunishtet. Ai ka paralajmëruar hapjen e një thirrjeje tjetër për ndërtim të shtëpive të reja për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në këtë pjesë.
“Pas thirrjes së parë për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive në vlerë prej 3 milionë eurosh, ku janë në proces të përfundimit të 57 shtëpive dhe të rinovimit të 230 shtëpive të tjera, tashmë është ndarë buxheti i nevojshëm për thirrjen e re në vlerë prej 3 milionë eurosh, ku do të ndërtohen edhe shtëpi të tjera të reja”, ka thënë Uka.
Sipas tij, nga thirrja e parë për subvencionim janë 5 përfitues për ndërtim të shtëpive dhe 20 për rinovim.