Shqiptari nga Mitrovica e Veriut: Kurrë s’e lëshoj këtë vend, kurrë nuk e shes – është marre

“S’e lëshojë kurrë Veriun”, thotë një shqiptar që jeton në atë pjesë të Kosovës, përkundër vështirësive të jashtëzakonshme për të funksionuar normalisht atje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi për media se situata është e qetë, por aspak të qetë nuk janë banorët shqiptarë që jetojnë në Veri, të cilët mirë e kujtojnë se çfarë ndodhi gjatë dhe pas luftës.

Megjithatë, një 86 vjeçar nga Veriu, deklaron në një kronikë të televizionit Dukagjini që s’e ka ndërmend të largohet, sepse “është marre”.

“S’e lëshoj kurrë, i kam bë 86 vjet, kam mundur ta shes aq sa kam dashur në vitin 2008, por nuk e shesh.  S’e marre, turp është, Kosovë është këtu”, thotë ai, pa u identifikuar me emër.

Një tjetër, shumë më e dekurajuar se ky dhe me frikë më të madhe, duke folur vetëm me zë dhe në kushte anonimiteti për televizionin, thotë se dita e djeshme kur dëgjoheshin të shtëna armësh e karizma, ishte “një tmerr”.

“Ka qenë tmerr për ne, për çdo shqiptarë që e ka përjetuar. Ka qenë vdekje. Kam quajtur”, pohoi ajo, derisa shpreh dëshpërimin e madh për policinë e Kosovës dhe reagimin e tyre të dobët.

“Kam telefonuar policinë”, tregon, por ndihma e vetme që i kishin ofruar ishte, “mos ia hap askujt derën”.

Një shqiptar tjetër nga Veriu ka një kërkesë për ndërkombëtarët.

“Ju kisha lutë partnerëve ndërkombëtarë, shteti jonë nuk është t’u ju bo dëm serbëve, shteti jonë është duke mundu për t’i integruar që ata të kenë si të gjitha pakicat të drejta. Ju lutëm më mirë është paq se luftë. Nuk jemi të 99-së”, deklaroi ai.

Një numër i konsiderueshëm i banorëve shqiptarë jeton në Veri. Pjesa më e madhe i kanë shitur pronat nga mos-durimi i të jetuarit në atë pjesë të territorit që kontrollohet nga bandat serbe.

Dëshpërimi i tyre i madh është në shtetin, që s’ka fare kujdes për ta, që janë më të rrezikuarit në atë zonë.