Historia e të riut shqiptar që nuk kaloi testin e nënshtetësisë në francë ka hapur debate. Opinioni publik e mbështet, por prefektura ku ai jeton, ka lështuar lumë pyetjesh, duke filluar nga historia e Francës; nëse i pëlqen lojtari Benzema, nëse do me shumë Francën apo Shqipërinë dhe së fundmi, cili është besimi i tij fetar. I riu ka bërë ankimim ndaj vendimit të prefekturës, ndërsa organet kompetente kanë dy muaj kohë për të dhënë vendimin e tyre.
Dhjetë vjet qëndrim në Francë, një diplomë profesionale, dy punë “me kontribute të dyfishta në buxhetin e shtetit”, por nuk e përfiton nënshtetësinë franceze.
Kjo pasi nuk justifikon kulturën e përgjithshme dhe të mjaftueshme për t’u bërë shtetas francez.
Kjo është historia e një 25-vjeçari shqiptar, ku mediat atje, për të mos i zbuluar identitetin, e kanë quajtur Antonio…
Ai aplikoi për nënshtetësi në prefekturën e Haute-Vienne, 25 vjeçari shqiptar pas refuzimit më 25 korrik e ka apeluar rastin dhe historia e tij tashmë ka marrë vëmendjen e mediave franceze dhe është kthyer në një çështje politike.
“Le Parisien”, ishte e para që zbuloi këtë histori që më pas u shpërnda në të gjitha mediat, duke hapur debat rreth pyetjeve që parashikon testimi për nënshtetësinë.
“Ai është një djalë 25 vjeçar i ardhur nga Shqipëria në Francë që në moshën 14 vjeçare. Djali tashmë ka një diplomë franceze në një shkollë profesionale. Ka punuar si kamarier për një kohë në një restorant dhe në të njëjtën kohë krijoi biznesin e tij të pastrimit të makinave.
Pas njëmbëdhjetë vjetësh në Francë, ai aplikoi për shtetësi dhe u thirr për një test me gojë mbi historinë dhe kulturën franceze, dhe për fat të keq për të, ai dështoi. Ai kërkoi shpjegime dhe prefektura ia ktheu listën e pyetjeve që nuk kishte mundur t’i përgjigjej.
Ai u pyet se kush ishte Edith Cresson- kryeministre e Francës në vitet 1988. Pas disa pyetjeve për historinë e Francës, ishin të përfshira Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Napoleoni, etj… Intervista ndryshoi papritur në një seksion që prek jetën e tij private.
I riu i ka thënë mediave se zyrtari më pyeti se cila ishte feja ime, çfarë mendoja për Benzemanë, apo edhe nëse preferoja Francën apo Shqipërinë.
Është e drejta e tyre të refuzojnë që të më natyralizojnë, por nuk mund të pranoj që gjëra të rreme janë shkruar në procesverbal dhe që më bëhen pyetje të paligjshme ose të padrejta”, argumenton ai.
Gazeta i ka shkuar deri në fund hetimit të rastit dhe ka parë se ka shumë mospërputhje në procesverbale.
Gazetarët i janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme për të Huajt në Francë (DGEF) dhe prefekturës Haute-Vienne por ata nuk kanë dhënë përgjigje.
Edhe reagimi qytetar ka qenë shumë i fortë. Është krijuar një grup i madh njerëzish që mbështesin hapat ligjorë që ka ndërmarrë i riu shqiptar për ta ankimuar çështjen te autoritetet.