Silvinjo po merr rezultate fantastike me Shqipërinë. Trajneri brazilian do të ketë një tjetër ndeshje vendimtare teksa para tij gjenden çekët.
Në një intervistë për “Reuters”, Silvinjo ka treguar më tepër rreth mënyrës sesi po punon te Shqipëria dhe gjetjen e tij, Jasir Asanin.
“Duhej të jetonim në Tiranë për të zhvilluar punën tonë. Kemi udhëtuar shumë, kemi takuar lojtarët, por të gjitha të dhënat e marra nga FSHF kanë qenë shumë të çmuara.
Nëse nuk do të punonim nga zyrat e Federatës në Shqipëri, ndoshta nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin. Ka miliona shqiptarë që jetojnë kudo në botë, ne ishim duke kërkuar për një lojtar në krahun e djathtë, me këmbën e majtë dhe gjetëm Asanin.
E dashuruam menjëherë këtë lojtar dhe po rezulton fantastik me ne. E gjithë ideja e projektit tonë është që të prekim shpirtin dhe zemrën e lojtarëve shqiptarë. I pëlqejmë golat e bukur, lojën e bukur, por nuk duhet të heqim kurrë dorë nga shpirti i ekipit”, tha Silvinjo.