Simiq thotë s’ka fushatë linçimi ndaj policëve të rinj serbë, gazetari i ndërhyn: Të mos i banalizojmë gjërat

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq u pyet për ndërhyrjen e Beogradit në Kosovë në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe. Aty foli edhe për policët e rinj serbë që në fillim të kësaj jave nisën punën në veri, ku u sfidua nga gazetari Milan Neshiq pas përgjigjeve të tij të zakonshme.

Ndaj 46 policëve serbë pati një fushatë linçimi nga Beogradi, të cilën e dënuan jo vetëm krerët e vendit, por edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Simiq thotë se bëhet fjalë vetëm për një mesazh në Telegram.

“Fushata për të cilën po flasin është në fakt, me sa kam gjetur burime, një mesazh i publikuar në rrjetin Telegram nga një person anonim”, tha ai.

“Prisni, vetëm një sekondë, në rregull. Por ka shkaktuar reagimin e EULEX-it, ambasadorit amerikan, të mos i banalizojmë gjërat tani, një mesazh në Telegram…”, ishte ndërhyrja e gazetarit.

“Mundohuni të gjeni ndonjë deklaratë mediatike të dhënë nga ndonjë përfaqësues i Listës Serbe në lidhje me atë rast, se ne kemi kontribuar në të dhe unë do të tërheq gjithçka. Por unë nuk do të pajtohem me këtë…”, tha Simiq.

Gazetari e pyeti Simiqin edhe për gjuhën e zyrtarëve amerikanë, të cilët flasin për ndërhyrje të Beogradit te serbët e Kosovës.

“Janë gjëra shumë të thjeshta. Serbët nuk do të mbijetonin në territorin e Kosovës nëse nuk do të ishte Beogradi. Pagat, pensionet, shtesat e fëmijëve, përfitimet sociale, financimi i shkollave dhe spitaleve. Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Mbijetesa më e drejtpërdrejtë e popullit serb varet nga Beogradi. Dhe ky është një fakt. Kur është fjala për vendimet e Listës Serbe, ato janë autonome, i merr populli serb. Ndonjëherë, edhe i moderuar në raport me qëndrimet reale të popullit tonë, sepse ne që merremi me politikë duhet të kujdesemi ende për interesat afatgjata të popullit tonë në terren”, tha ai.