Situata në Mal të Zi përshkallëzohet: Kërcënime me vdekje ndaj reisit Rifat ef. Fejziç – reagon edhe Bashkësia Islame në Bosnjë e Hercegovinë

Bashkësia Islame në Mal të Zi ka njoftuar sot se ndaj reisit Rifat ef. Fejziç janë dërguar përmes rrjeteve sociale kërcënime të shumta me vdekje, fyerje të rënda dhe mesazhe urrejtjeje.

Lidhur me këto mesazhe shqetësuese, që i janë dërguar reisit ditëve të fundit, është njoftuar edhe policia e Malit të Zi.

“Duke pasur parasysh atmosferën e nxehur të linçimit, ksenofobisë dhe islamofobisë që po përhapet në hapësirën publike, Bashkësia Islame shpreh shqetësim të thellë dhe kërcënimet i konsideron reale dhe serioze”, thuhet në njoftim.

Bashkësia Islame e Malit të Zi thekson se pret reagim të institucioneve kompetente.

“Bashkësia Islame dënon pa mëdyshje çdo akt dhune, duke shprehur dëshirën për shërim të shpejtë të të riut të plagosur. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje institucioneve dhe faktorëve shoqërorë që të bëjnë përpjekje shtesë, në mënyrë që fajësia individuale të mos kthehet në arsye legjitime për stigmatizimin e një populli apo feje të tërë”, thuhet në reagim.