Situata në veri e shqetëson BE-në, SHBA del me paralajmërim të ashpër

Qeveria u shpreh e kënaqur me zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit, duke pritur se ato do të prodhonin “qeverisje shembullore”. Por ato kanë sjellë probleme të reja, siç duket, edhe pak mosmarrëveshje mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, që konsideron se ato “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak është shprehur i shqetësuar për situatën, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka kritikuar Unionin për mosreagim, pasi tha se ditët e fundit ka pasur disa probleme në atë pjesë. Për betimin e kryetarëve që pritet të ndodhë shpejt një paralajmërim të ashpër e ka bërë Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier.

Asnjë rezultat s’doli nga takimi që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi e pati zhvilloi të hënën në Bruksel me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe ai nuk duket se shërbeu as për uljen e tensioneve.

“Situata në veri nuk është trajtuar fare sot”, tha kryenegociatori i Kosovës në fund të ditës, ndonëse emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak kur e vizitoi Prishtinën dhe Beogradin javën e kaluar, shprehu shqetësimin për situatën në veri.

Katër kryetarët e rinj shqiptarë që u zgjodhën për t’i udhëhequr komunat në veri të Kosovës e pranojnë se do ta kenë të vështirë qasjen në zyrat e tyre të reja, pasi shumica gjenden në objektet e strukturave paralele komunale serbe.

Qasja në objektet komunale, dhënia e betimit solemn dhe ushtrimi efektiv i mandatit të tyre janë përmendur si pengesat e para me të cilat pritet të përballen kryetarët që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit në veri, të cilat i bojkotoi Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë.

Pas takimit me Petkoviqin, zëvendëskryeministri Bislimi tha të hënën se e kanë informuar Lajçakun për problemet në disa në atë pjesë të vendit me një dozë kritike për mosreagimin e BE-së dhe për punën e EULEX-it, misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”. ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri tha se ka frikë se “mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet”.

“Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë”, tha Bislimi.

Por, për betimin e kryetarëve që pritet të kryhet deri më 28 maj ka folur ambasadori i SHBA’së në Prishtinë Jeff Hovenier, duke e bërë një paralajmërim të ashpër.

“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar” ka thënë Hovenier të mërkurën për Telegrafin.

Siç është thënë nga Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal Elbert Krasniqi të premten pritet të betohet kryetari i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq ndërsa sdihet kur do të bëhen tre të tjerët.

Ambasadori i SHBA’së ka thënë se ata duhet të betohen në ambiente ku janë të mirëpritur dhe jo domosdoshmërisht në objektetet e komunave.

BE-ja e shqetësuar

I dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak pas një takimi me përfaqësues serbë në veri, deklaroi se është i shqetësuar me atë çfarë ka dëgjuar. Paraprakisht ishte takuar me kryeministrin Albin Kurti.

“Ishte e rëndësishme për mua të vizitoja sërish veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm, që t’i fitoja përshtypjet e parë të drejtëpërdrejta mbi situatën aktuale. Ajo që dëgjova ishte shqetësuese për mua. Duhet ta shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqëndrohemi tërësisht te normalizimi”, shkroi Lajçak në Twitter.

Pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore, në të cilat dalja ishte pak më shumë se 3%, BE-ja kishte reaguar shpejt duke thënë se ato “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione, dhe që Kosova të mundësojë kthimin e tyre. Puna në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhej në reagim.

Në Beograd propagandojnë “konfrontim” në fund të muajit

Duke e përmendur 28 majin, afatin deri kur mund të betohen dhe ta marrin detyrën kryetarët e rinj shqiptarë në veri, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “po afron një krizë e madhe”, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në fillim të muajit.

“Kur e kuptuan se nuk mund të kalonte, atëherë u përpoqën ta zgjidhin situatën në veri në mënyrë racionale, ku po afron një krizë e madhe, sepse Albin Kurti vërtet mendon se sundon me 3-4 për qind të votave, e disa nga QUINT-i i përkrahin, sepse mendojnë se do ta thyejnë rezistencën e serbëve, përgjithmonë, duke i gjetur ata që do t’u shërbejnë edhe në veri, për të sunduar kështu…”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka përmendur një propozim që sipas tij e kishte bërë BE-ja për tejkalimin e situatës në veri pas zgjedhjeve.

“Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta kalojmë atë situatë”, ka thënë Vuçiq më 3 maj, duke shtuar se shpreson që në takimin e radhës të nivelit të lartë apo teknik “do të ketë reagime nga disa të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla”.

Para një jave, ai foli sërish për propozimin.

“Ata donin diçka që të ishte drejtësi relative, ndërsa Borelli tentoi t’ia sqaronte Kurtit se nuk ka kuptim që t’i përshëndesë zgjedhjet me 3% pjesëmarrje të qytetarëve sepse do të kishte probleme. Kurti u përgjigj se policia këtë do ta zgjidhë sepse këto janë veçse struktura kriminale” ka thënë Vuçiq.

Në pritje të “krizës”, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka propaganduar të dielën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore”.

“Kurti ka një plan që më 28 maj t’i marrë fizikisht ato komuna, t’i rrëzojë të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në një konfrontim me shumicën absolute të popullatës”, ka thënë Vuçeviq.

Nga BE-ja nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës Express në lidhje me propozimin për të cilën kishte folur Vuçiq.

Takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë nuk prodhoi as një dakordim për bisedimet e radhës. Bislimi tha të hënën se “nuk e kemi precizuar sot se si do të ecet tutje”. Data 28 maj, deri kur kanë afat kryetarët e rinj shqiptarë në veri ta marrin detyrën dhe ta bëjnë betimin, për Bislimin megjithatë “nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi”.