Situatë dramatike në Beograd dhe Novi Sad, protestuesit u përplasen me policinë – Vuçiq thërret takim urgjent

Në Novi Sad ka pasur një konflikt në mes të policisë dhe përfaqësuesve të opozitës, ndërsa e njëjta situatë është edhe në Beograd.

Si pasojë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, shkruan klix.ba, përcjell Telegrafi.

Siç bën të ditur VOA, përleshjet shpërthyen për të dytën ditë të mërkurën në qytetin verior serb të Novi Sadit midis policisë dhe protestuesve të opozitës, që kërkojnë arrestime lidhur me shembjen vdekjeprurëse të çatisë në stacionin hekurudhor të qytetit, në fillim të këtij muaji.

Protestuesit antiqeveritar provuan të bllokojnë një gjykatë në Novi Sad, ku shembja e çatisë në stacion më 1 nëntor la pas vetes 15 të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.

Policia largoi protestuesit nga ndërtesa.

Një veprim i ngjashëm i opozitës të martën çoi në një përplasje disaorëshe, një shenjë e tensioneve në rritje për shkak të ngjarjes së një nëntorit.

Ngjarja në Novi Sad ka shkaktuar një valë protestash kundër autoriteteve dhe arrestime të disa aktivistëve që morën pjesë në to.

Shumëkush në Serbi beson se korrupsioni i shfrenuar ka çuar në punë të ngadalta rinovimi në stacion dhe si pasojë në shembjen e çatisë.

Stacioni u ndërtua në vitin 1964 dhe u rinovua dy herë në vitet e fundit, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze të ndërtimit.

Ndërkohë, sot policia arrestoi dy aktivistë në Beograd, të cilët po protestonin kundër planeve për të rrënuar një urë të kohës së Luftës së Dytë Botërore, që shërben për trafikun e tramvajit dhe makinave mbi lumin Sava, që shtrohet midis pjesëve të reja dhe të vjetra të qytetit.

Autoritetet planifikojnë të ndërtojnë një urë të re në vend të saj, një proces që do të zgjasë të paktën tre vjet.

Veprimtarët e opozitës thonë se ura ekzistuese duhet të ruhet dhe se procesit të dhënies së kontratave për ndërtimin e urës së re i mungon transparenca.