Skandali/Dosja e UNESCO-s: Polifonia shqiptare ka prejardhjen nga muzika kishtare Bizantine

ZENO JAHAJ/ Prej afro një viti, Ministria e Kulturës, ajo për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Akademia e Shkencave, janë në dijeni që, Dosje-Dokumentari i paraqitur nga Shqipëria për regjistrimin e të ashtuquajturës “Iso-Polifoni Shqiptare”, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, si dhe Dokumenti “Vendimi i UNESCO-s” për këtë qëllim, përbëjnë tjetërsim të vlerave të Polifonisë Popullore Shqiptare dhe, në thelb, të vetidentitetit kombëtar shqiptar.

Në këto dy dokumente, mbarë publiku shqiptar, bartësit e Këngës Shumëzërëshe Popullore Shqiptare, zyrtarët e përgjegjshëm në institucionet përkatëse të vendit, etnomuzikologët, muzikologët, historianët, politikanët dhe diplomatët, nuk do të gjejnë se cilat janë vlerat unike të kësaj pasurie shpirtërore të popullit shqiptar, por, përkundër,do të gjejnë një platformë që shpronëson identitetin kombëtar shqiptar! Dhe ja cilat janë themelet kësaj platforme:

– Stërgjyshërit e shqiptarëve lidhen me ekzistencën e mitologjisë së Sirenave.

– Gjysma jugore e Shqipërisë është quajtur Epir dhe gjysma veriore është quajtur Iliri. – Shqipëria përbëhet nga Gegëria dhe Toskëria! (Pra, jo nga emërtime shtetërore zyrtare të shtetit shqiptar).

– Polifonia Popullore Shqiptare nuk është unike (siç janë të gjitha polifonitë e botës), por e ndarë në “Iso” dhe “Polifoni”. (Madje, e përçudnuar, ku zëri “hedhës” nuk përmendet asnjëherë).

– E ashtuquajtura “iso-polifoni shqiptare”, si asnjë polifoni e botës, është e prejardhur nga muzikë kishtare, përkatësisht nga ajo “bizantine”.

– Në Shqipëri vajtojnë burrat për burra!? Dhe, dosjedokumentari “shqiptar” e merr referencën nga vajtimi i Akilit për Patroklin, te Homeri. (Ndërsa, historikisht, dihet që, në kodin zakonor shqiptar,vajtojnë gratë për burrat e vdekur, jo burrat për burra). – Polifonia shqiptare ndahet në “Polifoni mali” dhe në “Polifoni deti”. (Një vijë-ndarje absurde, kur dihet që mrekullia unike e polifonisë shqiptare është pikërisht përbashkësia, po aq sa edhe larmishmëria nga një fshat në fshatin tjetër, ku nuk ndërhyn dot për t’i ndarë as mali, as deti).

– E ashtuquajtura “iso-polifoni” shoqëron edhe funeralet, edhe festimet fetare dhe se ajo është kryesisht këngë vajtimi, e lidhur vetëm me liturgjinë dhe melurgjinë bizantine, ku akoma vajtohet vdekja e Krishtit dhe ringjallja e tij! (Ndërkohë që, shkencërisht, kënga popullore e popullit shqiptar, ashtu si edhe e çdo populli tjetër, është, thelbësisht, kronikë e jetës së popullit: historia, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i përcjellë nga brezi në brez, baladat, eposet, këngët e djepit, këngët e stinëve…).

– E ashtuquajtura “Iso-Polifoni” është e lidhur me kompozitorin gjerman Bach dhe atë hungarez Ligeti. (Edhe pse këta nuk kanë asnjë lidhje me Polifoninë Shqiptare). – Gjeografia e këngëve polifonike është lokalizuar vetëm në Përmet dhe Gjirokastër! (Duke lënë jashtë Dosje-Dokumentarit, qëllimisht,perlat e njohura polifonike të fshatrave të Vlorës, Tepelenës, Pogradecit, Gramshit, Beratit, Skraparit, Fierit, Lushnjës, Strugës, Ohrit, Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Shkupit e deri në Kosovë, të laureuara edhe në festivale ndërkombëtare).

Për më tepër, sipas Dosje-Dokumentarit, Shqipëria aplikon një hartë rajonale,sipas së cilës Kosova shtrihet në Shkup, ndërsa Serbia në Prizren. Hartuesit e dosje-dokumentarit, për të marrë bekimin për platformën e mësipërme, janë kujdesur të “bëjnë ortak” edhe Kadarenë, duke i faturuar, pa referencë, këndvështrime të kundërta me çfarë ka shkruar në fakt Shkrimtari i Madh Shqiptar. (Ndërkohë, hartuesit e DosjeDokumentarit janë kujdesur të gjejnë referenca nga Homeri,duke injoruar që, poeti i lashtësisë, me kufizimet e kohës afro tremijëvjeçare kur ka jetuar dhe të gjeografisë Anatolike ku rronte, nuk kish si ta njihte as botën fizike, pa le më botën shpirtërore shqiptare).

Skandal më vete është fakti që ,Dosje-Dokumentari nuk e kanë dërguar dhe as e kanë sigluar institucionet shtetërore shqiptare përgjegjëse, por një farë “Këshilli Muzikor Shqiptar”, teorikisht një organizëm këshillimor, por që pjesëtarët e tij kanë deklaruar se nuk janë pyetur fare, ndërsa praktikisht një organizëm fantazmë, i paautorizuar nga ligji për të komunikuar me organizma ndërkombëtare. Përfundimisht, në OKB, përkatësisht në UNESCO, në organizatën që certifikon njohjen e shteteve dhe vlerave kombëtare, është bërë një diversion, përmes së cilit është goditur identiteti kombëtar shqiptar.

Shkrime të shumta, në mediat më serioze të vendit, dhe një Rezolutë nga Shoqata Kulturore Atdhetare “LABËRIA”, me nënshkrimet e dhjetëra personaliteteve të shquara nga të gjitha trevat shqiptare, midis tyre Ismail Kadare, Rexhep Qose, e të tjerë, e kanë denoncuar këtë diversion, por kanë gjetur vetëm heshtjen dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve përkatëse shtetërore. Ndërkohë, kemi dëgjuar se Ministria e Kulturës po përgatit Dosje për regjistrimin në UNESCO të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Sigurisht që ky Festival përbën shprehjen e gjallë të pasurisë shpirtërore të Kombit Shqiptar. Por, përpara se të bëjë këtë hap, Ministria e Kulturës duhet të gjejë përgjegjësinë shtetërore dhe kombëtare se pse dhe kush i ka dërguar UNESCOs një Dosje-Dokumentar,i cili tjetërson dhe shpronëson identitetin kombëtar shqiptar.

Në vijim, kjo ministri duhet të vihet në lëvizje që dosje-dokumentari dhe Vendimi i UNESCO-s të fshihen nga faqja zyrtare e UNESCO-s, të rishikohen rrënjësisht dhe të zëvendësohen, për ta sjellë Polifoninë Popullore Shqiptare në origjinën e vet natyrore kombëtare. Përndryshe, nëse nuk bëhet më parë ky rishikim dhe zëvendësim, atëherë edhe Festivali i Gjirokastrës do të inkuadrohet në të njëjtën platformë mbi të cilën është regjistruar e ashtuquajtura “iso-polifoni” që ka certifikuar tanimë UNESCO, çka do të përbënte vulën e dytë të shpronësimit të identitetit kombëtar shqiptar. Për ta pasur më të qartë skandalin që ka ndodhur me regjistrimin e këngës polifonike shqiptare në UNESKO, publikojmë, të plotë Dosje-Dokumentarin e paraqitur nga Shqipëria në vitin 2005, si dhe Vendimin përkatës të UNESCO-s të vitit 2008.

Dosje-Dokumentari

Paraqitur në UNESCO nga Shqipëria

(Linku: multimedia/document-610)

REPUBLIKA E SHQIPËRISË  RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR  KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR

Paraqet:

Iso-polifonia shqiptare

FORMULARI PËR REGJISTRIM NË UNESCO PËR KANDIDATURËN SHTETËRORE

PROKLAMATA E TRETË E KRYEVEPRAVE TË TRASHËGIMISË GOJORE DHE JOLËNDORE TË NJERËZIMIT

Muzika Iso-polifonike është e përhapur në një territor gjeografik ku përfshihet shumica e Shqipërisë Jugore. Dallohen dy zona të mëdha etnografike në këtë territor gjeografik: Toskëria dhe Labëria. Gjysma jugore e këtij vendi është quajtur Epir dhe gjysma veriore është quajtur Iliria. Një vështrim i përgjithshëm mbi iso-polifoninë e këtyre dy territoreve tregon se iso-polifonia labe është ndërtuar si një përshkallëzim “shumë-nivelesh vertikal” ndërsa iso-polifonia tToske ngjan si “shumë-valësh horizontal”.

Sipas përvojës dhe opinionit më të shumëpërhapur, në qoftë se ju takoni një banor lokal “në zemër” të Shqipërisë së Jugut, ai ose ajo, me siguri do të jetë pjesë e këngëve polifonike në një nga 3 apo 4 pjesët e saj, domethënë do ia fillojë (marrësi, zëri 1), do ia kthejë (kthyesi, zëri 2), ose do të këndojë iso në grup ose vetëm. Lidhur me vajtojcat, ato janë gjithashtu shumë familjare në ngjarjet e vajtimit në muzikën popullore shqiptare Iso-polifonike. Etnomuzikologjia, siç vërehet hershëm që prej ekzistencës së Sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë, të njohura nga vendasit si kshetat apo floçkat e detit, është vlerësuar si shumorigjinale si dridhje zëri nga lëvizjet e nofullës në disa vajtojca bregdetase në Shqipërinë jug-perëndimore.

Ka dy lloje këngëtarësh kryesorë në vajtim: improvizues profesionist dhe të aty për atyshëm. Prandaj, ne besojmë se zëri i Sirenave ishte karakteristik jo vetëm për shkak të bukurisë së tyre në vetvete, por ajo çfarë ishte më e rëndësishme, për shkak të teksturës iso-polifonike vajtuese – një veçori që e gjejmë akoma në iso-polifoninë Labe në ish-territoret e Epirit të vjetër. Ismail Kadareja është i mendimit se përdorimi i vajtojcave, në rastin tonë, nuk është aspak larg nga kori antik ku gjatë vajtimit bëhen komente për veprat dhe virtytet e të vdekurve. Sjellim në mend këtu lidhjen e brendshme midis vajtimit dhe varrimit në varre te Ilirët dhe Epirotët.

Sikurse është e njohur, varret janë monumente masive ku, besohet, se fillon poezia e lashtë gojore, që shoqëron ceremonialin në nderim të të vdekurit, si i gjithë rituali i kryer nga Akili kur nderon Patroklin e vdekur (Iliada, Libri 23). Sipas vetë Homerit, ai lidh poezinë epike orale natyrshëm me vajtimin mbi të vdekurin. Lidhur me traditën muzikore shqiptare të Iso-polifonisë dhe këndimit të saj nga populli, akoma konsiderohet misterioze dhe instiktive dhe në përgjithësi si një dukuri që përmban në të, reflektimet e natyrës po ashtu, zërat e natës dhe të tokës. Kjo qasje popullore është përmendur në disa kërkime më të hershme, duke u mbajtur në atë që, në këngët e malësorëve, veçanërisht në Jug, ruhen akoma elemente të jetës baritore, imitim i zileve dhe oshtimës së natyrës. Zakonisht thonë se në Labëri ekziston një “polifoni e thatë”, që do të thotë një polifoni që këndohet në male, dhe një “polifoni deti”.

Polifonia 3-zërëshe është pjesë e rëndësishme e artit popullor koreografik. Ekzistenca krah-për-krah e artit koreografik është një nga format origjinale të bashkë-ekzistencës së muzikës polifonike popullore me koreografinë popullore, si një manifestim i karakterit të hershëm të saj. Pikërisht si në strukturën tipike të polifonisë që gjejmë në marrësin, kthyesin dhe ison, ne bëjmë të njëjtën në këtë tip të krijimit koreografik. Në këtë rast, është polifonia që ka i “sugjeruar” strukturën e saj strukturës korrespnduese të valltarëve popullorë. Është një thënie e vjetër që jep mesazhin përmes termave strukturorë të kërcimit polifonik: “Është kthyesi, më shumë sesa marrësi, ai që e bën mirë vallen”. Kjo formulë origjinale e iso-polifonisë tonë është trashëguar gjithashtu në muzikën popullore qytetëse të Shqipërisë së Jugut e njohur si muzika iso-polifonike instrumentale. Vijimësia e mëtejshme e një formule të tillë në një fushë tjetër (orkestra instrumentale qytetëse) ishte ajo që përcaktoi vijimësinë e konceptimit popullor për kompozimin e masave (shkallëve) teknike, ashtu si edhe të garantimit dhe zhvillimit të shprehjes gjenetike të shprehjes tonë muzikore tradicionale, me mjete të tjera.

Që prej atëherë dhe në vijim (fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të), gërneta-gërnetisti (një instrument muzikor)=marrësi, do të ishte zëri i parë; violinaviolinisti=kthyesi, zëri i dytë (ose mbajtësi, kthyesi) dhe lahuta shumë-telëshe-lahutisti (një instrument tel-lahute) do të zëvendësonte ison masive (në rolin e mbushësit), e cila duket të jetë struktura bazë e organizimit të tyre. Në muzikën instrumentale qytetëse ne vërejmë një balancë midis burrave dhe grave në të kënduarin e repertorit muzikor polifonik qytetës.

Në mes krijimeve muzikore instrumentale qytetëse ne do të përmendnim muzikën e mirënjohur qytetare të Përmetit, Korçës, Leskovikut, Vlorës, Delvinës, e të tjera. Në ditët e sotme, krahas polifonisë vokale, ne gjejmë gjithashtu të ngjashmen e tyre, iso-polifoninë instrumentale, e cila është tipari më i zhvilluar dhe më bashkëkohor i iso-polifonisë popullore shqiptare. Në iso-polifoninë Labe, kënga, si në repertorin e burrave, edhe në atë të grave, fillon me zërin e parë “marrësi” dhe mbaron në grup me të gjithë zërat pjesëmarrës teksa këndojnë isopolifoninë.

Iso-ja, e cila në fillim tingëllon si një zë i rastësishëm, i mbajtur gjatë, është një nga treguesit më të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare. Kjo është një nga idetë më të përgjithshme e lidhur drejtpërdrejt me origjinën e polifonisë edhe për faktin se muzika e prodhuar nga tingulli njerëzor ka qenë klasifikuar gjithnjë si instrumenti muzikor i parë njerëzor dhe më i hershmi. Kjo natyrë e veçantë e Iso-s na kujton një tipar tjetër parimor të tingujve të Sirenave të Homerit si zëra që nuk pushojnë. Pikërisht si në Iso-polifoninë Labe, kënga përfundon duke kënduar i gjithë grupi. Polifonia është ende një nga mrekullitë e krijuara nga njeriu për jetën dhe vdekjen e tij.

Bazuar në iso-polifoninë mesdhetare dhe këngët tradicionale, liturgjinë dhe melurgjinë Bizantine që kanë vajtuar dhe akoma vajtojnë vdekjen e Krishtit dhe ringjalljen e tij. Me anë të Polifonisë, J.S.Bah kreu evolucionin real në muzikë, duke arritur kulmin e tij me polifoninë gjithëpërfshirëse të Ligetti-t në shekullin e 20-të, etj. Polifonia do të mbetet gjithnjë një këngë magjike e Sirenave, ose një kabá me klarinetë e performuar nga Mjeshtri Laveri, të cilën jo kushdo e ka shansin ta dëgjojë qoftë edhe një herë gjatë udhëtimit në përjetësi. Dokumentari ilustrohet, në fillim, me një elegji vajtojcash nga Grupi i Grave, Përmet, të cilat zënë afërsisht gjysmën e kohës së tij. Pastaj, ilustrohet me këngë ose valle nga Grupi i Lunxhërisë; Orkestra e Leskovikut; Grupi i Valaresë, Gjirokastër; Grupi i Poliçanit, Pogon; Grupi i Pleqve, Gjirokastër; Grupi i të rinjve, Gjirokastër.

VENDIMI I UNESCO-s

(Linku: albanian-folk-iso-polyphony-00155) Iso-polifonia popullore Shqiptare

Regjistruar në 2008, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit (proklamuar origjinalisht në 2005). Muzika tradicionale polifonike shqiptare mund të ndahet në dy grupe të mëdha stilistike të interpretuara nga Gegët e Shqipërisë veriore dhe Toskët dhe Labët që jetojnë në pjesën jugore të vendit. Termi iso lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine dhe i referohet isos që shoqëron të kënduarit polifonik. Isoja realizohet në dy mënyra: te toskët, ajo është gjithmonë e vazhdueshme dhe këndohet me rrokjen “e”, duke përdorur frymëmarrje të lëkundur, ndërsa te Labët, isoja ndonjëherë këndohet si një ton ritmik, e realizuar në tekstin e këngës.

E interpretuar kryesisht nga këngëtarë meshkuj, muzika tradicionalisht shoqëron një gamë të gjerë ngjarjesh shoqërore, si dasma, funerale, festa të korrjeve, festime fetare dhe festa të tilla si festivali i mirënjohur folklorik shqiptar në Gjirokastër. Iso-polifonia shqiptare karakterizohet nga këngë që përbëhen nga dy pjesë solo, një melodi dhe një kundërmelodi me iso korale. Struktura e pjesëve solo varion sipas mënyrave të ndryshme të interpretimit të isos, e cila ka një larmi të madhe strukturash, veçanërisht në stilin popullor të adoptuar nga të gjitha grupet që performojnë këtë muzikë. Gjatë dekadave të fundit, rritja modeste e turizmit kulturor dhe interesi në rritje i komunitetit studiues për këtë traditë unike popullore kanë kontribuar në ringjalljen e iso-polifonisë shqiptare. Megjithatë, tradita ndikohet negativisht nga varfëria, mungesa e mbrojtjes ligjore dhe mungesa e mbështetjes financiare për praktikuesit, duke kërcënuar transmetimin e repertorit të gjerë të këngëve dhe teknikave.

Eksodi rural i të rinjve në qytetet e mëdha dhe jashtë vendit në kërkim të punës, e shton këtë rrezik. Nisur nga këto kushte, në kohën e sotme, transmetimi i kësaj tradite mbahet më shumë përmes artistëve popullorë profesionistë, sesa brenda strukturës familjare. Pas klikimit mbi “Fotografinë në Vendimin e UNESCO-s që mbulon prejardhjen Iso-Polifonisë nga muzika kishtare Bizantine”, shfaqet interpretimi në gjuhët anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, me këtë përmbajtje: Elementi Iso-Polifonia popullore (Shqipëria) Regjistruar në 2008 (3.COM) në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit (proklamuar origjinalisht në 2005). E prejardhur nga muzika kishtare Bizantine, iso-polifonia shqiptare është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup, e realizuar kryesisht nga burra. Rritja e turizmit kulturor dhe interesi në rritje i studiuesve po kontribuojnë në ringjalljen e kësaj tradite unike popullore./panorama