E dimë që nuk është prodhim i yni, por sukseset i ka për ne. Lara Colturi, një adoleshente tepër e talentuar shqiptaro-italiane, shkëlqeu në garën e radhës në Kupën e Botës në ski alpine. Vajza 17-vjeçare zuri vendin e 9-të në garën e sllallomit, të zhvilluar në pistën e qytezës Flahau në Austri.
Colturi la pas plot 65 rivale, duke u mposhtur vetëm nga më të mirat e botës, që për më tepër kanë moshë më të madhe e shumë më tepër përvojë sesa ajo.
Ajo dha kohën 55”80 në zbritjen e parë, dhe 56”04, në të dytën, me rezultatin e përgjithshëm 1’51”84, afërsisht 2 sekonda e gjysmë më shumë sesa fituesja.
Ky është rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë në këtë sport, nga një shqiptar në arenën ndërkombëtare. Duke qenë në moshë tepër të re, Colturi pritet të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen, dhe të hyjë në zonën e medaljeve.
Në garën e zhvilluar në Austri triumfoi amerikania e shquar, Mikaela Shiffrin, që arritin fitoren e 94-t në karrierë në garat e Kupës së Botës.