Skllavi ilir që u bë Perandor më i fuqishëm dhe i dha Romës ‘Shekullin e Artë

Më 20 nëntor të vitit 284, Diokleciani u shpall perandor i Romës nga ushtarët e tij të Legjionit të Lindjes.

Vendosja e tij si perandor i Romës ishte një pikë kthese për vetë perandorinë, e cila vinte nga një fushatë e gjatë gjakderdhjesh.

Diokleciani lindi në Iliri dhe ishte i biri i një skllavi të senatorit Anulino. Por megjithatë, ai bëri karrierë ushtarake, deri sa u zgjodh perandor më 20 nëntor të vitit 284.

Ai zëvendësoi Numerianin, i cili u vra, së bashku me të afërmin e tij regjent, Karinon.

Diokleciani e gjeti perandorinë të zhytur në anarki. Për një gjysmëshekulli, në Romë ishin vrarë 26 gjeneralë që ishin shpallur perandorë.

Megjithatë, Diokleciani arriti që të vendoste rregull në perandori për 20 vjetët e sundimit të tij. Perandoria Romake u kthye në monarki absolute.

Pushteti u nda ndërmjet katër tetrarkëve dhe roli i qytetit të Romës u reduktua vetëm në çështje administrative. Për ta bërë më të lehtë administrimin e perandorisë, Diokleciani e ndau atë në katër rajone, ku secili kishte kryeqytetin e tij administrativ

Merita e Dioklicianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut iliri, ndërsa dy Çesarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud).

Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.

Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi.

Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje.

Ai njihet si një ndër tre perandorët që historia romake admiron më tepër.

Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re.

Diokleciani ishte i vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin. Romakët e kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë.