“Sollëm grekët nga Anadolli dhe dënuam çamët” Trondit jo pak Athinën, historiani grek

“Sollëm grekët nga Anadolli dhe dënuam çamët”. Kështu u shpreh për “CNN”-in grek më 12 qershor, Konstandinos Tsitselikis, eksperti i pakicave etnike dhe profesor i historisë ballkanike, sllavëve dhe të lindjes në Universitetin e Maqedonisë në Selanik.
“Gjërat janë tensionuar tej mase pas viteve 1925-1926, kur qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Venizelos sekuestroi pronat e çamëve pa i kompensuar. Kështu, shpërtheu vala e dhunës midis grekëve (të ardhur nga Anadolli) dhe çamëve.
Pika kulmore arrin, kur një pjesë e çamëve bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët.
Është artificiale ideja se të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, pasi pati një pjesë u rreshtuan në luftën antifashiste me ELAS mbi 500 çamë.
Në vitet 1943-1944 forcat e EDES të udhëhequr nga Napoleon Zerva dëbuan me forcë për në Shqipëri rreth 20.000-25.000 çamë. Nga ky dëbim i dhunshëm u vranë rreth 3.000 njerëz, pjesa tjetër arriti të shpëtojë duke ikur në Shqipëri.
Kjo është padyshim përvoja më dramatike për çamët dhe pasardhësit e tyre, sepse ata humbën pronat e tyre dhe nënshtetësinë greke. EDES e udhëhequr nga Zerva nuk ishte ushtri shtetërore greke, por ata kryen krime lufte.
Greqia nuk duhet ta fshehë këtë temë nën rrogoz. Pala greke duhet të ulet dhe të diskutojë politikisht këtë temë për t’u mbyllur.
Ajo po e vendos këtë temë nën rrogoz, kur ajo duhet ta hapë për të diskutuar se çfarë ka ndodhur atë periudhë. Për fat të keq kanë ndodhur ato që ndodhën.
Dakord, por që atëherë kanë kaluar tre breza. Kjo është më tepër një çështje e të drejtës morale për të njohur atë që ka ndodhur më parë.”, tha Tsitselikis
Grekët:
Ja propaganda e gënjeshtërt shqiptare për “çështjen Çame”
“Me sloganin ‘Nga Epiri Shqiptar në Prevezë’, çamët bashkëpunuan me Gjermaninë dhe Italinë fashiste në vitin 1942, duke krijuar njësi të armatosura kundër popullsisë greke”.

Kështu e nis një shkrim të saj gazeta “Protothema” pas rikthimit të “çështjes çame” në vëmendjen e diplomacisë shqiptare, gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias në Tiranë.

“Çamët ishin një grup etnik shqiptarësh myslimanë, që në fillim të shekullit XX u vendosën në rajonin e Thesprotisë dhe specifikisht në Igumenicë, Margariti, Paramithi dhe Filiates. Propaganda shqiptare e quan këtë rajon, Çamëri. Emri Çam, vjen nga Thiamis, siç njihej në antikitet lumi Kalamas.

Çamët e sotëm janë pasardhës të të krishterëve të islamizuar në Epir nga Perandoria Osmane në shekullin XVII. Edhe pse me firmosjen e Traktatit të Lozanës (1923) me Turqinë, ku çamët myslimanë u konsideruan bashkëpunëtorë me okupatorin, ata nuk u larguan nga qeveria diktatoriale e Theodoros Pangalosit dhe mbetën në Thesproti.

Por siç rezultoi më vonë, çamët myslimanë u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike, ndonjëherë edhe në udhëheqjen e sulmeve të përgjakshme në kufirin greko-shqiptar, në mënyrë që të justifikonin agresionin ndaj vendit tonë në tetor 1940. Në fakt, 3 nga 14 batalionet shqiptare që morën pjesë në operacion së bashku me italianët, përbëheshin nga çamë”, shkruan autori i shkrimit, Panajotis Savidhis.

“Gjatë pushtimit gjerman, çamët bashkëpunuan me forcat pushtuese kundër autoriteteve greke. Në vitin 1942, slogani “Nga Epiri Shqiptar në Prevezë” i lëvizjes KSILIA (Sistemi administrativo-politik shqiptar), me 14 batalione, objektivin kryesor kishin të shfarosnin popullsinë greke në rajonin e Thesprotisë.

Kreu i KSILIA-s, ishte Nuri Dino Bej, dhëndri i kryeministrit shqiptar, Shefqet Verlaci. ‘Dedikimi im dhe në më shumë se 40 vite shërbime për Italinë ishte t’iu informoj juve për atë që po ndodh së fundmi në Çamëri, Greqi dhe jugun e Shqipërisë’, shkruan Dino në një letër dërguar Benito Musolinit në shkurt 1943 dhe që gjendet sot në arkivën italiane dhe është një dëshmi e parefuzueshme e rolit të çamëve kundër popullsisë greke”, vijon më tej shkrimi i Protothemës.

Profesori i Universitetit Pedagogjik, Athanasios Ioanina Gotovos, i cili është një studiues i arkivave gjermane, nxjerr dokumente në dritë, të cilat dëshmojnë se ekzekutimet e civilëve grekë në Paramithi, janë bërë sipas një liste të hartuar emrash nga udhëheqja çame në rajon.

Në gusht 1944, njësitë e armatosura çame vuajtën shumë nga grupet e rezistencës kombëtare të Napoleon Zervës (EDES). Qindra çamë, të vetëdijshëm për pasojat e masakrës së tyre ndaj popullsisë greke, u larguan drejt Shqipërisë, duke marrë me vete edhe familjet e tyre. 18 mijë çamë llogaritet të jenë larguar në fund të vitit 1944.

Në vendimet e mëvonshme të gjykatave greke, për t’u hequr atyre nënshtetësinë, u vendos gjithashtu edhe shpronësimi i tyre, duke ua kaluar tokën banorëve vendës. Në vitin 1945, Gjykata Speciale e Janinës dënoi në mungesë me vdekje 1.930 çamë kolaboracionistë dhe përgjegjës për krime lufte.
“Këto 25 vitet e fundit, ‘çështja çame’ është shndërruar në një parametër e irredentizmit shqiptar’, i cili i ka intensifikuar përpjekjet për ta sjellë në qendër të vëmendjes prej vitit 2000, pas krijimit të shtetit të Kosovës. Për arsye shkëputjeje të vëmendjes nga e drejta e grekëve të ‘Epirit të Veriut’, por edhe për qëllime elektorale, dy partitë më të mëdha në pushtet në Shqipëri, e ngrenë shpesh pyetjen se kur do iu rikthehen pronat çamëve, madje përmendin edhe rikthimin e pasardhësve të tyre në Greqi. Por pozicioni i palëkundur i Athinës zyrtare, ndaj kërkesave shqiptare, ka qenë i prerë dhe se nuk mund të ketë dialog me kriminelët e luftës që janë dënuar nga gjykatat”, e mbyll shkrimin e saj e përditshmja greke.