Heroi kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu është lindur më 6 maj të vitit 1405, në Principatën e Kastriotëve në familjen e Gjon Kastriotit. Për vendlindjen e tij ka dy variante. I pari në Dibër dhe i dyti në Mat.
Ai është marrë peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin është larguar gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444, ai ka mbledhur të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku është vendosur unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që ka pasur si kryeqendër Krujën.
Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku ka mbështetur mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ka qenë komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa ka vdekur më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.
Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.