Specialja arreston Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun

Gjykata Speciale të enjten ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.

Specialja në një njoftim dërguar mediave ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar “po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar aksionin e Speciales gjatë ditës së sotme.

Në një prononcim për media djali i Fadil Fazliut, Fahriu ka thënë se ai pritet të dërgohet në Hagë.

“Ai ndodhet për momentin në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë dhe pritet të dërgohet për në Hagë”, ka theksuar Fazliu.

Ai ka thënë se nuk kanë informata se për çfarë është arrestuar.

Ndërkohë Kilaj, i cili kishte shërbyer edhe si kryetar i Malishevës, qe arrestuar edhe në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj të këtij viti, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar. Si kusht paraprak për lirim e pati shumën prej 30 mijë eurosh të cilën duhej t’ia jepte administratores si garanci financiare. Në korrik, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte paraqitur aktakuzën e ndryshuar ndaj tij.

Vitin e kaluar, Specialja pati bastisur shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj si dhe të Fadil Fazliut.

Artan Qerkini, avokat i Smakajt, pas bastisjeve kishte thënë se dyshimi i prokurorisë së specializuar është te veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka thënë se Specialja po vazhdon gjahun ndaj luftëtarëve të lirisë.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka shkruar Klinaku në Facebook.