Specialja ngre aktakuzë ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçit për ndikim mbi dëshmitarët

Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

Siç bëhet e ditur në njoftim, “Thaçi ndodhej në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet në aktakuzën e Gjykatës Speciale.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.

Specialja ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura.

Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Sipas Aktakuzës së konfirmuar, Specialja njofton se “së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”.

Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të Speciales, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore Thaçi, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të Thaçit.

Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Hajredin Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Speciales në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha Gjykatës Speciale mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale.

ZPS-ja thotë se e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari.