Stoilkoviq nuk e mban fjalën, nuk e heq termi `Kosova dhe Metohija`

Termi “Kosova dhe Metohija” vazhdon të qëndrojë në kumtesën zyrtare të kabinetit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq, edhe pse ky i fundit u zotua se teksti do të rregullohet dhe do të jetë në përputhje me qëndrimin zyrtar të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës dhe jo në bazë të qëndrimeve personale.

Zëvendëskryeministri Stoilkoviq në një kumtesë zyrtare lidhur me kampin sportiv “Serbia po ju thërret” të publikuar në ueb-faqen e ministrisë me të cilën ai udhëheq, Republikës së Kosovës i drejtohet me “Kosova dhe Metohija”, sikur të jetë funksionar i Serbisë dhe jo i Maqedonisë së Veriut.

Pas reagimeve të shumta, ai ka theksuar se teksti është marrë nga faqja e tij personale në Facebook dhe se do të përmirësohet në komunikimin zyrtar.

Republika e Maqedonisë së Veriut e ka njohur Republikën e Kosovës më 8 tetor, 2008, vetëm disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008.

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut e ka sqaruar qëndrimin e saj rreth veprimit të zëvendëskryeministrit Stoilkoviq.

“Republikën e Kosovës e kemi njohur në vitin 2008 dhe si shtet kemi lidhur një sërë marrëveshjesh bilaterale. Si Qeveri, informojmë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet dhe të veprojnë në përputhje me vendimet, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit”, ka theksuar Qeveria e Maqedonisë së Veriutm raportojnë mediat e këtij vendit.