Nga: Akademik Rexhep Ismajli
Vëllimi “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në Europën Veriore“ sjell 40 ndihmesa për fusha të ndryshme studimi lidhur me tematikën tonë. Në 518 faqet e tij do të gjeni referime, analiza, shqyrtime, diskutime për aspekte të ndryshme të interesimeve për botën shqiptare të autorëve britanikë dhe të Europës Veriore. Në këtë rast bien në sy përqendrimet e shpeshta rreth veprave të autorëve si Lordi Byron, Stuart Mann, Edith Durham, Noel Malcolm, Christian Sandfeld, Holger Pedersen, Arthur Evans, apo John Wilkes, por në përgjithësi horizonti vjen e zgjerohet më shumë se në konferencat e tjera, tani jo më vetëm në gjuhësi, po edhe në letërsi, në studimet etnologjike-etnografike, në arkeologji, e deri edhe në aspektet gjeopolitike e historiografike
“Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore”, është vëllimi i pestë me studime nga seria shumë e suksesshme e konferencave ndërkombëtare për studimet albanistike jashtë hapësirës shqi¬p¬tare. Deri tash janë mbajtur këto konferenca: Studimet albanistike në Amerikë, 2015 (2016), ff. 665; Studimet albanistike në vendet ku flitet gjer¬manisht, 2017 (2018), ff. 861; Studimet albanistike në Itali, 2019 (2020), ff. 567; Studimet shqiptare në Francë, 2021 (2022), ff. 638 dhe Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore, 2023 (2024), ff. 518, gjithsej deri tash 3060 faqe libri. Jo vetëm për nga vëllimi, po në radhë të parë për nga numri i pjesëmarrësve dhe cilësia e shqyrtimeve e tërë kjo veprimtari paraqet një ndërmarrje serioze të vlerësimit të studimeve albanistike në botë nga një brez stu¬diuesish në shtrirje prej rreth një dekade. Na gëzon dhe fakti se një vlerësim kështu i lartë për këto rezultate ka dalë jo vetëm nga pjesëmarrësit e shumtë të k묬tyre konferencave, po edhe në recensionet që janë bërë pastaj. Për ne në tërë këtë veprimtari me rëndësi ka qenë që pjesëmarrësit e kanë ndjerë atmosferën e diskutimeve të nevojshme dhe të hapura në të gjitha drejtimet, çka ka siguruar dhe rezultate shumë pozitive. Në parashikimet tona në Seksionin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut, që është dhe vijon të jetë bartësi kryesor i kësaj veprimtarie, deri në përmbylljen e këtij cikli na kanë mbetur dhe disa rrathë për të realizuar: vitin që vjen do të kemi një konferencë për studimet albanistike te sllavët e jugut, pastaj mund të kemi një tjetër për studimet albanistike në Rusi dhe te sllavët e tjerë, e treta po ashtu me rëndësi mund të jetë një konferencë për studimet albanistike në Rumani dhe në Greqi dhe mbase e fundit një për studimet për shqiptarët në Turqi dhe në botën arabe. Në këtë mënyrë do të përmbyllej cikli. Bartës kryesor i të gjitha këtyre konferencave ka qenë dhe do të jetë Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut, por, siç ka ndodhur në një rast, mund të kërkohet dhe bashkëpunimi me seksionin e Shkencave Shoqërore, apo, si në dy raste të tjera, bashkëpunimi me ASHSH. Mund të jetë që në këto veprimtari në vijim të angazhohen dhe institucione të tjera jashtë botës shqiptare. Shkalla e hapjes e manifestuar në veprimtaritë e deritashme dhe përpjekja për të inkluduar sa më shumë studiues, cilësia e referimeve, vështrimet kritike ndërtuese dhe vizionet integruese brenda studimeve albanistike në përgjithësi e me këtë edhe në vështrimet ballkanologjike e më të gjera, kanë bërë që në botë të krijohet një përfytyrim vlerësues shumë pozitiv për zhvillimet studimore në Kosovë dhe në botën shqiptare dhe kanë përçuar mesazhin e rëndësishëm të hapjes së këtyre studimeve dhe të vepruesve brenda tyre drejt integrimeve brenda disiplinave përkatëse filologjike, linguistike, letrare, kulturore, e madje edhe në përkitje me aspektet historike, etnologjike, arkeolo¬gjike, e të tjera në botën e sotme. Edhe pse të gjitha këto veprimtari kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një vizion të përgjithshëm të përbashkët të vlerësimit të të arriturave të deritashme, e me këtë synimin për një prerje, për të kaluar më tej në një rrafsh tjetër vështrimesh drejt analizave dhe sintezave të reja, secila prej tyre ka sjellë veçantitë dhe aspektet që karakterizojnë hapësirat ku janë zhvilluar këto studime, kështu që në secilin rast ka dalë e nevojshme që këshillat organizues të ridimensionojnë synimet, hapësirat dhe fushat e studimit që do të përfshiheshin në konferencën në vijim. Në çdo rast prioritare ka qenë që t’u përgjigjemi nevojave për komunikim sa më të hapur midis studiuesve të mjediseve të ndryshme, duke mirëpritur vrojtimet e të gjitha llojeve, sidomos të atyre diskutuese dhe problematizuese. Dialogu me kolegët nga vendet e ndryshme dhe në raport me realizimet e shënuara në traditat përkatëse ka qenë dhe mbetet synim i përhershëm. Ka rënë në sy se në disa raste ka qenë e nevojshme të shqyrtohen dhe rezultatet e studimeve aktualizues dhe të udhëpërshkrimeve, apo të dokumentacionit të natyrave të tjera që ndërlidhen me botën shqiptare dhe kështu horizontet e konferencave kanë ardhur duke u zgjeruar, për të përfshirë më në fund të gjitha interesimet për botën dhe hapësirat jetësore shqiptare. Kjo gjë ka rënë në sy sidomos në dy konferencat e fundit, por kam përshtypjen se do të vijë duke u zgjeruar në të ardhmen. Kjo vetvetiu po e imponon vështrimin shumëdisiplinar dhe ndërdisiplinar dhe po i zgjeron horizontet tona.
Në recensionin që është botuar për vëllimin për “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht” në revistën e rëndësishme “Zeitschrfit für Balkanologie” profesori nga Berlini Christian Voss vlerësonte:
“In faszinierender Weise zeigen uns die 50 Beiträge den Zustand und die Dynamik eines typischen ‘kleinen Faches’, das sich allmälich aus seiner indo¬ger¬ma¬nistischen Tradition emanzipiert und Anschluß an neuere und interdisziplinäre Herangehensweise findet’… Dieser Prozess impliziert eine Internationa¬lisierung des Fachs… Mit diesem Band erweist sich Prishtina erneut als Gravitationspunkt der europäischen Albanologie”.
“Në mënyrë magjepsëse, 50 ndihmesat na tregojnë gjendjen dhe dinamikën e një ‘fahu tipikisht të vogël’, që gradualisht po emancipohet nga tradita indo-europiane dhe po lidhet me qasje më të reja dhe ndërdisiplinore… Ky proces nënkupton një ndërkombëtarizim të fahut … Me këtë vëllim Prishtina po dëshmohet sërish si qendër graviteti për albanologjinë europiane”.
“…një tokë brenda harkut të Italisë, por më pak e njohur se brendësia e Amerikës”
Në studimet e deritashme është vënë re se interesimet e autorëve të botës britanike për botën shqiptare më së shpeshti shtrihen në kohë deri nga fillimi i shekullit XVIII, kur historiani Edwar Gibbon fliste për Shqipërinë si për ‘një tokë brenda harkut të Italisë, por më pak e njohur se brendësia e Amerikës’. Madje e kishim vlerësuar qëndrimin e personalitetit qendror në studimet e sotme shqiptare në botën britanike Sir Noel Malcolm, sipas të cilit: “Deri në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kontaktet e Britanisë dhe Shqipërisë ishin minimale, shumë pak në rrafshin personal dhe aspak në nivelin zyrtar”.
Mithat Frashëri qe ndër të parët në kulturën shqiptare që shfaqi interes të veçantë për këtë lloj studimesh në botën britanike me një seri studimesh me titull të përbashkët “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në funt të shekullit XIX”, të botuara te “Diturija” në vitet 1927-29. Ai me të drejtë vinte në pah peshën e shënimeve të poetit markant të romantizmit, Lordit Byron: ″Një udhëtim që ka bërë mbase më të madhen e bujavet – sadoqë nga pikëpamja shkëncore s’pati nonjë fryt si eksplorim dhe zbulime për Shqipërinë – qe, padyshim, ay i Lordit Byron, në Janinë dhe Tepelenë. Nga kjo vizitë në vëndin ‘ku djemtë janë të rebtë dhe t’egrë, po jo pa virtute’ poeti shton pjesën mê të bukurë në vjershat Childe Harold’s Pilgrimage: Haroldi këtu është Byron-i vetë”. Dhe pasi kishte paraqitur shënimet e J. C. Hobhause-it, të H. Holland-it, të J. J. Best-it, të D. Urquhart-it, të Doduell-it, etj. Skëndo vlerësonte sidomos veprën e Edward Lear-it. pastaj të W. M. Leak-ut, Lordit J. Hobhouse-it, etj. Në shekullin XX është vlerësuar sidomos veprimtaria e Edith Durham-it, e pak më vonë e S. E. Mann-it si për gjerësinë e tyre ashtu dhe për thellësinë e vrojtimeve për tërësinë e botës shqiptare. Në këto dekadat e fundit në Britaninë e Madhe ka një gjallërim të interesit për studimet shqiptare, si në fushat e historisë, të etnologjisë, ashtu dhe në fushat e filologjisë, përfshirë dhe interesin për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Zhvillimet e vona ndër shqiptarë, prania gjithnjë e më e dendur e diasporës shqiptare atje, po ashtu kanë luajtur një rol me rëndësi në nxitjen e këtij interesimi të shtuar për botën shqiptare në Britaninë e Madhe, prej nga kanë ardhur dhe ndihmesa me rëndësi edhe për aspekte të rëndësishme, si lëvizjet për çlirim, pasqyrimi i pësimeve të dhimbshme në hapësirat prej nga janë ndjekur shqiptarët, sidomos në Çamëri, lëvizjet për çlirim në Kosovë, etj. Nuk ka dyshim se në këto dekada qendrore ka qenë veprimtaria e thelluar studimore e Sir N. Malcolm-it. Kjo konferencë analizoi, krahasoi dhe theksoi ndihmesat që autorët britanikë, me gjithë largësinë gjeografike, kanë dhënë tash e tre shekuj për njohjen e botës shqiptare.
Në studimet e deritashme është vënë re se interesimet e autorëve të botës britanike për botën shqiptare më së shpeshti shtrihen në kohë deri nga fillimi i shekullit XVIII, kur historiani Edwar Gibbon fliste për Shqipërinë si për “një tokë brenda harkut të Italisë, por më pak e njohur se brendësia e Amerikës”
Një shënim nga fillimi i shekullit XIV nga bota britanike
Me këtë rast më lejoni të sjell në kujtesë një shënim shumë më të hershëm, nga fillimi i sh. XIV nga bota britanike, shënim i cili nuk u pasqyrua në kon¬¬fe¬rencë, por që ka vlerë të padyshimtë. Vlera e tij del në pah nga kontekstualizimi, qoftë fare i shkurtër, dhe na thotë qartë se bota shqiptare dhe veçantitë e saj ishin shënuar shumë herët dhe në largësi të mëdha.
Zakonisht thuhet se Ptolomeu në shekullin II të Erës sonë kishte përmendur fisin e madh ilir Albanoi dhe qytetin Albanopolis, që hu¬lu¬m¬timet arkeologjike e historike e kanë identifikuar me rrënojat e gjetura në Zgërdhesh afër Krujës. Pas kësaj në historiografi nuk janë shënuar përmendje të tjera deri te referimet bizantine të sh. XI: Michael Attaliates më 1038 si άλβανοί καὶ λατῖνοί, më 1042 si ρωμαίων καὶ άλβανῶν dhe më 1078 si βουλγάρων καὶ άρβανιτῶν: Anna Comnena, e bija e Perandorit Aleksi I Komneni dhe Irene Ducas më 1148: me rastin e rrethimit të Durrësit më 1081 dhe humbjes së Perandorit Bizantin atje, ndër të tjera thuhet: ’Tërë pjesa tjetër e qytetit u vu nën komandën e Komiskortit, me prejardhje (të lindur) nga (në) Arbëria: τῷ ἕξ Aρβανῶν ὀρμωμένῳ’.
Përmendja tjetër e hamendësuar e hershme del në dokumentin dorëshkrim serb të vitit 1628, që i referohet një legjende të kohës së Car Samuilit, të sh. XI (në fillim të viteve 1000), ku përmen¬den gjuhët ortodokse (bullgarishtja, greqishtja, siriakishtja, iberishtja (gruzishtja) dhe rusishtja) me tri alfabetet ortodokse: greqisht, bullgarisht dhe iberisht, dhe 12 gjuhë të gjysmëbesimtarëve (të krishterë katolikë): e alemanëve, e frankëve, e magja¬rëve, e indianëve, e jakobitëve, e armenasve, e saksonëve, e lehëve, e arbanasëve, e kro¬atëve, e hizianëve, e gjermanëve. Dyshimet lidhur me këtë dokument lindin nga fakti se duke qenë i sh. XVII, flet për legjendën që mtohet të jetë e sh. XI, shqiptarët përmenden si Arbanasi, ndër¬kohë që në serb. e sh. XI Arbëni quhej Rabъnъ, pra e kishte pësuar metatezën sllave të likuideve të sh. VIII-IX.
Anonimi: Descriptio Euro¬pae Orientalis,1308 i një kleriku dominikan frëng, ku thuhej:
Habent enim Albani prefati linguam distinctam a latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt eum aliis nationibus
’arbërit e sipërpërmendur kanë një gjuhë që është e ndryshme nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, ashtu që ata në asnjë mënyrë nuk mund të merren vesh me popujt e tjerë’.
Konstantin Jireček në “Die Romanen in den Städten Dalmatiens während des Mittelalters“ Volume 49, Parts 1-3, 1904, thoshte:
“Të përmendurit e parë të ’lingua albanesesca’ (khs. lat. -iscus te thraciscus, daciscus, it. E vj. gre¬cescho, turchescho) e kam gjetur në një shqyrtim gjyqësor në Dubrovnik më 1285 rreth një vjedhjeje të shtëpisë së Petar de Volcio në Belen (tash Plat) në Zhupë. Dëshmitari Ma¬theus i biri i Mar¬cut de Mençe thotë: audiui unam uocem, clamantem in monte lin¬gua albanesesca, dhe pastaj përskaj vreshtës së Benedict de Gondula kishte parë ‛unum Alba¬nensem’ që mbante rrush dhe ‛duas scopinas plenas musto’. Arba¬nasë nga fundi i mesjetës, në kohën pas lulëzimit të tregtisë dhe detarisë kur studimet fetare për vetë dubrovnikasit kishin fuqi të vogël tërheqëse, në Dubrovnik ka pasur shumë (sehr viel), tregtarë, zanat¬linj, dhe sidomos kallugjerë dhe priftërinj nga malet e Arbënisë Veriore“, sipas botimit Beograd 1952, f. 51.
Qysh nga Milan Sufflay 1911 e njohim dhe e kemi shumëfish të komentuar Directorium ad passagium faciendum të vitit 1332 të vëllait dominikan Guillielmus Adam me fjalinë e tij të famshme: “licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen littteram habent in usu et in omnibus suis libris“ fjali e cila ka nxitur diskutime të shumta lidhur me dëshminë e gjithsesi të gjuhës, po edhe me ekzistencën e shkrimeve më të hershme shqip. Dhjetë vjet më herët e kemi shënimin e vëllezërve dominikanë irlandezë Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që tash kemi mundësinë dhe ta referojmë në tekstin latinisht.
“30 milje nga qyteti mbaron Skllavonia dhe prej Budve fillon Albanye“
Xhevat Lloshi në këtë vëllim të Konferencës sonë vjen me indikacionet për udhëtimet e Xhon Mandevilit të vitit 1322, sipas të cilit pas Dubrovnikut “30 milje nga qyteti mbaron Skllavonia dhe prej Budve fillon Albanye“. Më tej ai kishte ndaluar edhe në portet e Durrësit e të Vlorës, sipas librit të botuar më 1499. Xh. Lloshi më tej njofton po ashtu shkurt se po atë vit kemi edhe “Itinerari i Simon Simeonisit nga Hybernia me Hygonius Iluminatorin për në Tokat e Shenjta“, ku është shkruar dhe për Durrësin, që e quan Durachiam. Lloshi shton dhe vetëm se shënimet e tij janë botuar më 1778 në Kembrixh, f. 44-45. Nuk shënon se këtë tekst e ka komentuar R. Elsie në një artikull të veçantë më 1991 dhe sërish në librin e tij “Early Albania. A Reader of Historical Texts 11th-17th Centuries“, Harrassowitz, Wiesbaden, 2003, 26-27. Për mua ka vlerë të jepen detajet për këtë shënim udhëtimi, të parin nga bota britanike, duke e vendosur në rrjedhat historike, aq më tepër ta kemi tekstin e tij latinisht.
Në vitin 1322 në një udhëtim për vendin e shenjtë nga Irlanda françeskani anglo-irlandez Symon Simeonis bashkë me Hugo Illuminatorin rrugës kaluan pranë viseve shqiptare dhe shënuan në Itinierarium Symonis Symeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam mrekullimin e tyre me këto vise, rrëfyen për gjendjen në Durrës. Këto shënime nuk i kishte njohur Lumo Skëndo. Është botuar sërish në Britani më 1960. Janë shënuar te “Kulturne veze između jugoslovenskih zemalja i engleske do 1700. godine“ të V. Kostić (Beo¬grad, 1972, f. 278-79) dhe te Robert Elsie më 1991 dhe më 2003. Aty jepej njoftimi se dy fran¬çeskanët nga Irlanda kishin arritur në Venedik më 28 qershor, ndërsa më 19 gusht ishin nisur drejt Pula, dy ditë më vonë te Zara, përskaj Hvar e Korçula kishin arritur në Dubrovnik. Kishin vazhduar përskaj Ulqinit, “që i përket Mbretit të Rashës“ [Rashka] dhe Arbënisë, ″të cilën mbreti i sipërpërmendur rashian e ka shtruar nën pushtetin e tij“, për të vazhduar në Korfuz e Kretë.
Në studimet e deritashme është vënë re se interesimet e autorëve të botës britanike për botën shqiptare më së shpeshti shtrihen në kohë deri nga fillimi i shekullit XVIII, kur historiani Edwar Gibbon fliste për Shqipërinë si për “një tokë brenda harkut të Italisë, por më pak e njohur se brendësia e Amerikës”
Rëndësi ka fakti se ky shënim vjen vetëm 14 vjet pas Descriptio Euro¬pae Orientalis (Përshkrimi i Europës Lindore),1308, të Anonimit dominikan, dhe vjen nga bota jo e afërt irlandeze.
Teksti latinisht i riprodhuar te Kostić është ky:
Origjinali latinisht: Albania est provincia inter Sclavoniam et Romaniam per se linguam habens, quam nuper predictus rex Rassie schismaticus suo dominio subjugavit. Ipsei enim Albanenses schissmatici sunt, graecorum utentes ritu, et eisdem habitu et gestu in omnibus conformes; nam greci raro vel nunquam utuntur caputio, sed capello albo, quasi plano in parte anteriori humiliate, et in posteriori elevato, ut eorum crines intuentuium occulis luculentius appareant: quia in crinium longitudine et pulchritudine summe gloriantur. Sclavi vero … tantum capello albo ablongo et rotundo, cujus sumitati nobiles pennam longam figunt, qua facilius a rusticus et villanis distingui queunt atque cognosci,
Përkthimi anglisht i Bibliotekës Kombëtare të Irlandës: “After a few days spent here, we passed through Dul¬cigno, which belongs to the King of Rassia, and thence by sea to Durazzo, a city once famous and powerful both on land and sea, a possession of the Emperor of the Greeks. But now it is subject to the Prince of Ro¬mania, brother of the King of Jerusalem, and is in the province of Albania, which is the province between Slavonia and Romania, having a language of its own, which was recently subjugated and added to his dominions by the aforementioned King of Ras¬sia, a schismatic, for the Albanians are themsel¬ves schismatics, using the Greek rite, and closely resem¬b¬ling the Greeks in dress and manners. For the Gre¬eks rarely or never wear a cowl, but a white hat, almost flat, turned downwards in front and up¬wards behind, so that their hair, of the length and beauty of which they are very proud, may be more clearly seen…
This city [Durazzo] is in the circuit of its walls very extensive, but in buildings miserably small, because it was once totally destroyed by an earth¬qua¬ke, during which the wealthy citizens and inhabitants, to the number of 24,000, as is asserted, were buried beneath their own palaces and killed. It is now thinly popu¬lated by peoples differing in religion, customs and language, by Latins, Greeks, perfidious Jews, and barbarous Albanians. Small coins called tournois are current here, of which eleven are worth one Vene¬tian grosso, and these are current throughout all Roma¬nia. This city is distant 200 miles from Ragusa”.
Përkthimi i përafërt shqip: “Pas pak ditësh të kaluara aty, kaluam nëpër Ulqin, që i përket mbretit të Rashës dhe pastaj përmes detit për Durrës, qytet dikur i famshëm dhe i fuqishëm njëhe¬rësh në tokë dhe në det, pronë e perandorëve të gre¬këve. Por tash i shtrohet Prin¬cit të Romanisë [Bizanti grek], vë¬llait të Mbretit të Jerusalemit, dhe është në provin¬cën e Arbë¬nit, që është provincë midis Sllavonisë dhe Romanisë, që ka gjuhën e vet të veçantë, që së voni u shtrua dhe iu bashkua domeneve të Mbretit të si¬për¬për¬mendur të rashës, skizmatik, duke qenë se dhe arbërit janë ski¬z¬¬matikë, që përdorin ritin grek dhe u ngjajnë nga afër gre¬këve në veshje dhe në sjellje. Duke qenë se grekët rrallë ose kurrë nuk mbaj¬në mbulesë, po një kapelë të bardhë, krye¬sisht të rrafshët, të pjerrë përposh te balli dhe përposh nga prapa, ashtu që flokët e tyre, për gjatë¬sinë dhe buku¬rinë e të cilave janë shumë krenarë, mund ë shihen më shpesh…
Qyteti [Durrës] brenda mureve të tij shumë i gjerë, por në ndërtesa mjerisht i vogël, sepse një herë qe tërësisht i rrënuar nga tërmeti, gjatë të cilit qytetarët e begatshëm dhe banorët, në numër prej 24.000, siç është dëshmuar, ishin varrosur brenda pallateve të tyre dhe vrarë. Tani është ngjeshur i banuar nga njerëz që dallojnë sa i për¬ket fesë, zakoneve dhe gjuhës, nga latinët, grekët, çifu¬tët perfidë, dhe arbërit bar¬barë. Paratë e vogla të njohura si tournois këtu janë të za¬konshme, 11 sish vlejnë sa një grosh venedikas, dhe janë të përhapura nëpër tërë Ro¬ma¬ninë. Ky qytet është larg nga Ragusa 200 milje”.
Gjurmë me rëndësi në studimet për botën shqiptare
Interesimet për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare nuk kanë munguar as tek autorë të ndryshëm që vijnë nga vendet skandinave dhe nga veriu i Europës në përgjithësi. Në këto hapësira nuk janë shënuar njoftime kaq të hershme për botën shqiptare sa ai që u përmend i Simeonit irlandez, por qysh nga fillimet e sh. XIX prej andej na vijnë vrojtime me peshë, si ato të R. Rask, të S. Bugge, etj., që vijnë e intensifikohen e thellohen sidomos tek ‘harushani danez’ H. Pedersen, siç e quante S. Riza ynë në vitet ’50 të sh. të kaluar, për të vazhduar me autorë seriozë e me ndihmesa me peshë te Ch. Sandfeld e G. Svanne, më vonë. Sigurisht që vrojtimet e Ullmar Quickut, të Berit Beker-it e të autorëve të tjerë në kohën tonë po lënë gjurmë me rëndësi në studimet për botën shqiptare. Interesi për këtë botë për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe diasporën shqiptare në kohën tonë është gjithnjë e në rritje. Në këtë vëllim kemi dhe një risi: për herë të parë kemi dhe vështrime për studimet arkeologjike të autorëve britanikë për hapësirat shqiptare.
Vëllimi që kemi përpara sjell 40 ndihmesa për fusha të ndryshme studimi lidhur me tematikën tonë. Në 518 faqet e tij do të gjeni referime, analiza, shqyrtime, diskutime për aspekte të ndryshme të interesimeve për botën shqiptare të autorëve britanikë dhe të Europës Veriore. Në këtë rast bien në sy përqendrimet e shpeshta rreth veprave të autorëve si Lordi Byron, Stuart Mann, Edith Durham, Noel Malcolm, Christian Sandfeld, Holger Pedersen, Arthur Evans, apo John Wilkes, por në përgjithësi horizonti vjen e zgjerohet më shumë se në konferencat e tjera, tani jo më vetëm në gjuhësi, po edhe në letërsi, në studimet etnologjike-etnografike, në arkeologji, e deri edhe në aspektet gjeopolitike e historiografike.
Jam plot besim se edhe ky botim do ta ketë suksesin që e kanë përjetuar katër vëllimet e mëparshme.
Fjalë me rastin e përurimit të botimit të akteve të konferencës shkencore “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore”, ASHK, Prishtinë, 16 tetor 2024