Kombëtarja shqiptare regjistroi katër rezultate pozitive në muajt shtator-tetor, duke nisur me barazimin 1-1 në Pragë ndaj Çekisë, fitorja 2-0 me Poloninë në Tiranë për të vijuar me triumfin e madh ndaj Çekisë 3-0 po në Tiranë në tetor. Që të treja sfida të vlefshme për kualifikueset e “Euro 2024”, ndërkohë që kuqezinjtë e mbyllën muajin tetor me një tjetër sukses 2-0 në miqësoren ndaj Bullgarisë.
Kuqezinjtë pas gjashtë ndeshjesh të zhvilluara në kualifikueset e Europianit kryesojnë renditjen në Grupin E me 13 pikë dhe janë vetëm një pikë larg suksesit, për të siguruar matematikisht kualifikim në “Euro 2024”.
Falë këtyre dy rezultateve pozitive, Kombëtarja shqiptare ka arritur të fitojë tre pozicione në renditjen e re të FIFA-s për muajin tetor. Kuqezinjtë renditet tashmë në vendin numër 59 në klasifikimin e FIFA-s, me 19 pikë më shumë krahasuar me renditjen në muajin shtator.
Një tjetër lajm shumë i mirë për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo, të cilët do të rikthehen sërish në fushë në muajin nëntor, ku do të luajnë edhe dy finalet e fundit në Grupit E, atë ndaj Moldavisë me 17 nëntor në transfertë, dhe tre ditë më vonë me 20 nëntor do të zhvillojnë sfidën e fundit kualifikuese ndaj Ishujve Faroe, në stadiumin “Air Albania”.