Sulm me dron ukrainas në fabrikën ushtarake të Rusisë, 3 të vrarë dhe 35 të plagosur

Tre persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë dërguar në spital pas një sulmi me dron nga Ukraina në një fabrikë ushtarake në qytetin e Izhevskut, më shumë se 1,000 kilometra larg kufirit me Ukrainën, njoftojnë autoritetet ruse.

Guvernatori i Udmurtisë, Aleksandr Bechalov, deklaroi se nga të plagosurit, dhjetë persona kanë marrë lëndime serioze. Ai shtoi se ka informuar presidentin Vladimir Putin për sulmin.

Objekti i sulmuar është Uzina Elektromekanike Kupol, e njohur për prodhimin e sistemeve raketore tokë-ajër Tor dhe stacioneve të radarit. Gjithashtu, fabrika specializohet në prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Osa dhe zhvillon dronë, sipas mediave ukrainase.

Një zyrtar ukrainas konfirmoi se dy dronë me rreze të gjatë veprimi, operuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), goditën fabrikën nga një distancë prej rreth 1,300 kilometra. Sipas tij, sulmet e tilla synojnë të zvogëlojnë kapacitetin ofensiv të Rusisë dhe të dëmtojnë zinxhirët e prodhimit ushtarak, duke treguar se as në thellësi të territorit rus nuk ka zona të sigurta për infrastrukturën ushtarake.

Një video e publikuar në mediat sociale dhe e verifikuar nga BBC tregon një shpërthim në çatinë e një ndërtese, ndjekur nga një re e madhe tymi të zi që ngrihej mbi një oxhak të fabrikës.

Pas sulmit, rregullatori i aviacionit civil të Rusisë, Rosaviatsia, vendosi kufizime për operacionet në aeroportin e Izhevskut, por ato u hoqën disa orë më vonë.