Sulmet në Bregun Perëndimor, Izraeli nis fushatën për shkatërrimin e lidhjeve të Iranit

Operacionet luftarake të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimore kanë vijuar me një intensitet të lartë gjatë mëngjesit të së mërkurës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha në një deklaratë se operacioni ushtarak izraelit në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor pasqyron “mësimin e parë” të nxjerrë nga sulmet e përsëritura të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës: rëndësinë e eliminimit të terroristëve dhe shkatërrimit të infrastrukturës terroriste në Jenin “pasi terrorizmi po ndodh sërish brenda qytetit”.

Me fillimin e operacionit, forcat palestineze të sigurisë u tërhoqën nga kampi i refugjatëve dhe zhurma e të shtënave të forta mund të dëgjohej në pamjet e telefonave celularë të shpërndarë në mediat sociale. Shërbimet shëndetësore palestineze thanë se të paktën nëntë palestinezë u vranë dhe 35 u plagosën në sulmin izraelit, i cili vazhdoi gjatë natës. Një javë më parë, një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Jenin vrau të paktën tre palestinezë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Që nga fillimi i luftës në tetor 2023 në Gaza, qindra palestinezë dhe dhjetëra izraelitë janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe Izrael dhe mijëra palestinezë janë arrestuar në bastisjet e rregullta izraelite, shkruan A2 CNN.

Ministri i Financave i linjës së ashpër pro kolonëve izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka përgjegjësi për pjesë të mëdha të politikës izraelite në Bregun Perëndimor, tha se operacioni ishte fillimi i një “fushate të fortë dhe të vazhdueshme” kundër grupeve militante “për mbrojtjen e vendbanimeve dhe kolonëve”. Më herët, Smotrich përshëndeti vendimin e Trump për të hequr sanksionet ndaj kolonëve të akuzuar për dhunë kundër palestinezëve. Ai tha se mezi priste të bashkëpunonte me administratën e re të SHBA-së në zgjerimin e vendbanimeve, të cilat shumica e vendeve i konsiderojnë si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sakaq, katër persona u plagosën në një sulm me thikë në qendër të Tel Avivit sipas shërbimeve izraelite të urgjencës. Policia izraelite tha se sulmuesi ishte “neutralizuar”, por nuk dha më shumë detaje rreth identitetit apo gjendjes së sulmuesit. Një trup u pa i shtrirë në tokë në vendin e sulmit, i rrethuar nga forcat e policisë. Të katër viktimat u dërguan në spital – dy kishin plagë mesatare dhe dy të tjerët kishin plagë të lehta.

Sipas Shin Bet, shërbimi sekret izraelit për punët e brendshme, njeriu që goditi me thikë katër persona në Tel Aviv mbrëmjen e së martës, një turist 29-vjeçar maroken me banim në SHBA, ishte marrë në pyetje në aeroport dhe nuk kishte u gjetën arsye për ta penguar hyrjen në Izrael. Times of Israel e shkroi atë. Terroristi u vra menjëherë pas sulmit.