Dy javë pas sulmit terrorist në Banjskë, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka publikuar fakte të reja që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi.
“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Sveçla në Facebook.
Ministri Brendshëm ka thënë se terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq.
“Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”, ka shkruar tutje Sveçla.
Ai thotë se mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, “a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”.
Ndryshe, në orët e hershme të 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmua në mënyrë terroriste nga serb të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre terrorist u vranë./