Tanke izraelite raportohet se kanë hyrë në Gaza

Situata në Gaza sa vjen dhe bëhet më e tensionuar me bombardimet e shtuara nga ana e Izraelit në orët e fundit në gjithë Rripin, por mbi të gjitha me zgjerimin e një inkursioni tokësor të paralajmëruar.

Sipas raportimeve të fundit nga Lindja e Mesme, tashmë tanket e para izraelite kanë filluar të mësyjnë një Gaza tërësisht të shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.

Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle ky inkursion fillestar është, por dihet me siguri se Izraeli i ka bërë thirrje gjithë palestinezëve që jetojnë në veri, që të largohen urgjentisht drejt jugut.

Zgjerimin e operacioneve gjatë natës ndërkaq, e raportoi Daniel Hagari, zëdhënësi i Ushtrisë izraelite, i cili përmendi planin e Forcave të Mbrojtjes për të pasur fillimin zyrtar të inkursionit në Gaza.