Taulant Xhaka i ka reaguar ashpër aktivistes feministe Zana Avdiu, duke e akuzuar se gjoja është paguar për ta kritikuar vëllain e saj Granitin, për gjestin e tij gjatë fitores së Zvicrës kundër Serbisë në Kupën e Botës të premten e kaluar.
Avdiu e kritikoi Xhakën pse i kapi organet gjenitale kur iu drejtuar bankës serbe dhe i shau ata me nënë gjatë ndeshjes së tensionuar të në Katar.
Taulanti, i cili e ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare për dallim nga Graniti, e quajti po ashtu Avdiun grua pa gjak shqiptari derisa e cilësoi vëllain e vet si shembull për t’u ndjekur nga shqiptarët.
“Ti Zana Avdiu a qysh e pate emrin! Ti pika e parë nuk ke lidhje as me futboll! Pika e dytë ti nuk ke lidhje çka ndodh në një fushë futbollit e çfarë emocione ka aty brenda! Pika e tretë ti nuk e njeh aspak familjen Xhaka edhe historinë e babait tim dhe familjes Xhaka. Unë nuk di kush të ka paguar me dal aty e me thonë kësi sene banale. Edhe prapë del në intervista e fol për kërcënime! Granit është shembull për krejt shqiptarët në aspektin pozitiv dhe ti e quan rrugaç? Marre se nuk paske aspak gjak shqiptari ti!” shkroi Taulant Xhaka në Instagram.
Mesfushori i lindur në Kosovë e kishte përfaqësuar Shqipërinë në 30 ndeshje nga viti 2014 deri në vitin 2019 dhe më 2021 njoftoi pensionimin nga kombëtarja kuqezi.
Sipas gazetës së përditshme zvicerane Blick, familja Xhaka po mendon ta padisë Avdiun për komentet që i ka bërë ndaj mesfushorit 29-vjeçar.
Çfarë kishte thënë Avdiu për ta zemëruar familjen Xhaka?
Xhaka kishte dëgjuar thirrje fashiste nga tifozët serbë dhe ishte provokuar vazhdimisht gjatë ndeshjes në Doha, në të cilën shqiptari tjetër Xherdan Shaqiri e shënoi njërin prej tre golave të triumfit.
Pak pas trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq, i shau shqiptarët me nënë pas golit të epërsisë së Serbisë, Xhaka iu drejtua bankës serbë dhe ia ktheu me monedhën e njëjtë, duke i sharë ata në shqip derisa po e kapte me dorë organin gjenital.
Në një reagim në rrjetin social Facebook pas ndeshjes, Avdiu e quajti veprimin e Xhakës të turpshëm dhe prej rrugaçi.
Ajo shkroi pas ndeshjes: “Akti i Granit Xhakes, eshte per turp. Akt prej nje rrugaçi. Dhe, fatkeqesia eshte, qe asnje nuk la pa e shpernda ate foto. Pra, zero nivel, ne nje shtet te tane!”