Shkruan: Donjeta Abazi
Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” që numëronte edhe dy aktorë turk e të cilët munguan për shkak të përmbajtjes u dha premierë mbrëmë në Teatrin Oda.
E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës” së Eskilit, shfaqja ‘Të gjashtët…” përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?
Minikreativitetet brenda kreatives
Loja e kukullave pas perdes përbente një pjesë të konsiderueshme të shfaqjes. Përmes rikthimit të personazheve të Eskilit dhe historisë së dy vëllezërve në tragjedinë “Të shtatët kundër Tebës”, u dha një perfomancë e këndshme që na shpërqendron për të mirë nga “monotonia” e skenës teatrore. Reagimet e aktorëve në lidhje me shfaqjen brenda shfaqjes i ndajnë diku-diku ndjesitë e dramës, megjithatë i bashkon tematikat në dramë.
Personazhet e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” personifikojnë gjendje të caktuara në situata e kohë të caktuar. Në mesin e tyre dikush shndërrohet në tiran, dikush në ushtar, përndjekës, kritik arti, dikush është i pafajshëm. Në fakt të pafajshëm janë të gjithë, sepse ky mëton të jetë edhe mesazhi i shfaqjes: e vërteta e ngjarjes së arrestimit të gjashtë mësuesve në Kosovë, nen arsyetimin se ishin përkrahës të Fetullah Gulen, nxit të vendoset dritë mbi pasojat e një pushteti tiran. Por, a duhet të jetë pushteti totalitar, arsye për ndalësë ose frikë, njëjtë nuk thuhet në shfaqje, njëjtë nuk mendon as autori as regjisorja e shfaqjes për vetë faktin se kjo shfaqje u bë.
Gjashtë aktorët: zhveshës të pushtetit totalitar
Shfaqja rrëfen për një ngjarje të ndodhur, edhe satirizon e revoltohet ndaj sistemit totalitar të pushtetit të Erdoganit, e megjithatë kjo shfaqje nuk u bë veç për Turqinë. Lehtë të vërejteshme janë elementet brenda skenës, të cilat përfshijnë edhe vende të tjera. Revolta e shfaqjes nuk është veç me flamurin turk, as veç me një vend të caktuar, është një frustrim mbi pushtet totalitare kudo qofshin. Pasojat e këtyre pushteteve mbi masën interpretohen qoftë në momente komike, qoftë në tragjedi.
Adrian Morina dhe Shpetim Selmani, e kanë peshën më të madhe, qoftë në transformim qoftë në bashkëpunimin me aktoret tjerë dhe e bëjnë shumë mirë.
Skenografia e shfaqjes e cila jep përshtypje për ambient kaotik sjellë elemente të kulturës turke, elemente që nuk duken e as përjetohen si të largëta, kjo behet qëllimshëm dhe përmendet madje qëllimshëm. Pyetja është meqë kultura turke qoftë dhunshëm qoftë me dëshirë ka depërtuar lehtë tek vendi ynë, a ka vend për frikë? Frikë të shndërrimit të vendit e shoqërisë në ujëra të tilla politike, duam të jetë jo.
Fati i shfaqjes
Ideja dhe realizimi e kësaj shfaqje nuk mund të jetë krejt rastësi por që është projekt të cilit i duhet guxim as që diskutohet. Autori Jeton Neziraj dhe regjisorja Blerta Neziraj kanë thumbuar e satirizuar me ngjarjen e famshme e cila për publikun tonë është edhe më e njohur, kjo për arsye që dihen (të arrestuarit, shtetas turk, gjendeshin në Kosovë në atë periudhë). E meqë fokusi bie tek ngjarja dhe guximi për t’u trajtuar kjo ngjarje, realizimit artistik i jepet një dozë paksa më e vogël e vëmendjes, kjo mund edhe të jetë e diskutueshme e relative por nëse shumica i vendosin theksin tematikes është krejt e kuptueshme dhe pranueshme.
Rrugëtimi i shfaqjes mund të jetë problematik. Për vetë faktin që nga shfaqja u tërhoqën dy aktorë turq, të cilët ishin përzgjedhur për të luajtur, tregon mjaftueshëm për rrezikun që mund ta kenë qoftë regjisori, autori, kasta e aktorëve ose stafi kreativ në përgjithësi.
Në hapjen e audicionit për aktorë turk, një numër i madh i tyre kishin hequr dorë nga projekti qysh në fillim, posa e kanë kuptuar tekstin. Kjo është shqetësuese, është bile edhe alaramante.
Cenimi i të pacenueshmes
“Të gjashtët kundër Turqisë” vjen si injeksion në tentim për ta shëruar dogmën e pandreqshme të një pushteti, i cili cenon edhe atë që është e pacenueshme, artin. Kontrolla e sistemeve të tilla, ngrijnë pyetje të rëndësishme për diskutim. Përnjëmend masat janë kaq lehtë të manipulueshme ose pse është kaq e vështirë që një shoqëri ta kuptojë me kohë momentin kur është futur në një sistem autoritar. Rruga që tërheq këtë shoqëri nga kjo dukuri pastaj edhe mund të arsyetohet dhe te tentohet të kuptohet ama momenti kur në mënyrë të verbër e gjithë masa marshon drejt këtyre sistemeve është problematik vështirë e kuptueshme, e sidomos kur flasim për botën moderne.
Shfaqja e mbrëmshme krijon pashmangshmërisht mure të forta që stopojnë ndikimin politik në fushën e kulturës, ose s’paku tenton ta bëjë.
Krejt rrëfimet të cilat në përbërje kanë revoltë kulturore ndaj sistemeve, përfundojnë duke luftuar poashtu edhe jashtë skenës ose vorbullës ku janë krijuar. Kjo behet rëndom pastaj motivon artistet të kërkojnë edhe më në fushën të cilës i takojnë, me të drejtë.
Drama është shkruar nga Jeton Neziraj, regjinë e sajë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala.