Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zbuluar se çfarë i është thënë nga diplomatët e huaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi.
Kurti, në një intervistë për ‘The Geopost’ ka thënë se i është thënë që të “kursehet Serbia, Beogradi dhe presidenti i saj” nga kritikat.
“E mbaj mend shumë mirë marsin e kaluar kur ne në Kosovë na thanë, të lutem, kurseje Serbinë, Beogradin, presidentin nga retorika e kritikave të ashpra, sepse pas 3 prillit, kur do të mbahen zgjedhjet në Serbi, ata do të ndryshojnë orientimin dhe do të jenë plotësisht i drejtuar nga perëndimi. Kjo nuk ndodhi, ndaj duhet të nxjerrim disa mësime, pritshmëritë që kanë ekzistuar për presidentin aktual nga pala perëndimore nuk janë realizuar”, deklaroi kryeministri.
“Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, përkundrazi, vitin e kaluar, në shtator në margjinat e samitit të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë (në atë kohë) Selakoviq dhe ai i Rusisë Lavrov bëjnë një marrëveshje për koordinim në politikën e jashtme”, ka thënë më tej shefi i ekzekutivit kosovar.
Ai ka thënë se Rusia po e përdor Serbinë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Këto nuk janë protesta paqësore, djegia e makinave të policisë, thirrja “Vrit, vrit” me bandat e orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe marrin direktivat prej andej, këta nuk janë protestues paqësorë. Prandaj, këta persona, këta ekstremistë, 5 prej tyre janë në burg, ndërsa 13 prej tyre që i kemi identifikuar me siguri se janë njerëz të tillë tek të cilët Kremlini e sheh shansin e tij, pasi bëhet fjalë për ideologjinë e nacional-shovinistit serb”, deklaroi më tej ai.