Presidenti amerikan Donald Trump tha se ka në plan të flasë me homologun Vladimir Putin të martën, për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë. Biseda sipas tij, do të zhvillohet pas diskutimeve pozitive mes zyrtarë amerikanë dhe rusë në Moskë.
“Mendoj se po shkon shumë mirë, me Rusinë. Dhe do të shohim nëse kam diçka për të njoftuar ndoshta të martën. Pasi të martën do të flas me presidentin Putin. Një punë e madhe është bërë përgjatë fundjavës. Duam të shohim nëse do të mund t’i japim fund luftës. Ndoshta mundemi, ndoshta jo. por mendoj se kemi mundësi të mira”.
Trump po përpiqet të bindë Putinin të mbështesë një propozim për armëpushim 30 ditor, të cilin Kievi e pranoi javën e kaluar, teksa palët vazhduan të shkëmbenin sulme të forta ajrore gjatë fundjavës, dhe Rusia i është afruar edhe më shumë qëllimit për të dënuar trupat ukrainase nga rajoni i Kursk.
I pyetur se çfarë lëshimesh po konsiderohen në negociatat për armëpushim Trump u shpreh: “Epo do të flasim për territore. Ka shumë territore. Situata është shumë më e ndryshme nga çka qenë përpara luftës. Do të flasim për central energjetik. Ka një sërë pikëpyetjesh por mendoj se për shumicën e këtyre gjërave, pak a shumë e kemi diskutuar me të dyja palët. Ukrainën dhe Rusinë”.
Presidenti amerikan nuk dha detaje po me gjasë po i referohej centralit të pushtuar nga rusët, të Zaporizhias, është edhe centrali më I madh bërthamor në Europë.
Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën se po rrezikojnë një aksident në central, me veprimet e tyre. Ndërkohë Kremlini tha të premten se Putini i kishte çuar një mesazh rreth planit të armëpushimit, përmes të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, gjatë bisedimeve në Moskë. Ka optimizëm, sipas Rusisë se një ujdi mund të arrihet për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare. Gjatë daljeve të ndryshme në televizion të dielën Witkoff, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe këshilltari i sigurisë së Trump, Mike Waltz, theksuan se ende ka sfida që duhen adresuar para se Rusia të pranojë zgjidhjen paqësore të luftës.
I pyetur nëse do të pranonte një marrëveshje ku Rusisë i lejohet ta mbajë territorin e aneksuar në Ukrainë, Waltz sugjeroi se nuk ishte realiste të mendohej se mund të dëbonin çdo rus, nga çdo centimetër territor i Ukrainës.