Në Universitetin e Gjirokastrës të rinjtë nga Lugina e Preshevës do të kenë mundësi të studiojnë pa pagesë.
Të rinjve nga Lugina e Preshevës do t’iu krijohet mundësia të vazhdojnë studimet e larta pa pagesë në Universitetin e Gjirokastrës. Një bashkëpunim i bashkisë Gjirokastër, Universitetit ” Eqrem Çabej”, komunës së Bujanovcit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar synon mbështetjen e këtyre të rinjve për të vazhduar universitetin në degë të ndryshme, duke përfshirë edhe ato prioritare.
Gjatë takimeve të zhvilluara ditët e fundit në Gjirokastër është diskutuar për ndihmesën dhe mbështetjen e të rinjve të Luginës së Preshevës, për të ndihmuar në arsimimin dhe në punësimin e tyre.
“Nisur nga fakti që diplomat shqiptare njihen në Serbi ne kemi vendosur që të trokasim nëpër dyert e bashkive dhe universiteteve në Shqipëri në mënyrë që ti hapin dyert për studentët e Luginës së Preshevës dhe po fillojmë një bashkëpunim konkret me bashkinë e Gjirokastrës, e cila do të sigurojë akomodimin për studentët e Luginës së Preshevës ndërkohë që studentët që do të studiojnë në universitetin e Gjirokastrës do të lirohen nga tarifa e shkollimit”- tha Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar shqiptar.
Bashkëpunimi i nisur mes Bashkisë së Gjirokastrës dhe subjekteve shqiptare në Luginën e Preshevës synon të shtrihet në fusha të ndryshme si arsimi, kulturë, turizëm etj.