Një mozaik imazhesh janë kapur nga teleskopi hapësinor “Euclid” i Agjencisë Hapësinore Evropiane, ku janë fotografuar më shumë se 14 milionë galaktika, duke ofruar një pamje të parë të një “atlasi kozmik”.
Imazhet ndihmojnë në plotësimin e projektit të hartës, ku shkencëtarët mund të kuptojnë më mirë rolin që luan materia dhe energjia e errët në strukturën e universit.
Mozaiku prej 260 imazhesh është pamja e parë në projektin e “Euclidit” për të krijuar hartën më të madhe dhe më të saktë të universit deri më tani. Numri i madh i galaktikave u kap gjatë një studimi dy-javor në prill dhe përfaqëson vetëm 1 % të hartës përfundimtare.
Ngjyra blu në të gjithë imazhin është pluhur dhe gaz kozmik në Rrugën e Qumështit aty pranë, i njohur si “cirus galaktik”.
Zmadhimi i imazhit zbulon galaktikat rrotulluese që ndërveprojnë qindra miliona vite dritë larg, disa me një vrimë të zezë supermasive në qendër që mund të prodhojë valë gravitacionale të matshme në Tokë.
Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, teleskopi do të skanojë në mënyrë autonome rreth një të tretën e qiellit të kozmosit, ku studiuesit parashikojnë se harta përfundimtare do të tregojë rreth 8 miliardë galaktika, secila me miliarda yje.
Për shkak se energjia e errët dhe materia e errët ndikojnë në formimin e zbrazëtirave midis grupimeve të galaktikave, matja e këtyre zbrazëtirave mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë karakteristikat e këtyre substancave të pakapshme.
“Ne po testojmë ligjet themelore të fizikës në shkallët ekstreme të kozmosit,” tha Carole Mundell, drejtoreshë e shkencës në ESA.