Tenistja ukrainase Elina Svitolina i doli në mbrojtje serbit Novak Gjokoviç, i cili shkaktoi polemika me deklaratën e tij në lidhje me Kosovën.
Sipas 28-vjeçares, në një botë të lirë, çdo individ duhet që të ketë të drejtën e shprehjes.
Svitolina bëri thirrje që të gjithë tenistët rusë dhe bjellorusë të ndalohen nga garat ndërkombëtare për shkak të pushtimit të vendit të saj nga Moska në vitin 2022.
Por në lidhje me 22 herë fituesin e Grand Slameve, ajo mendon se mund të thotë çfarë të dojë.
“Epo, ne po jetojmë në një botë të lirë, kështu që pse të mos ta themi mendimin tonë në lidhje me diçka. Mendoj se nëse mbështet diçka, duhet ta thuash. Domethënë, nëse je me një mik duke folur, ti do të thuash mendimin tënd, ai opinionin e tij. Pra pse jo”.
Xhokoviç shkroi të hënën se “Kosova është zemra e Serbisë” në një objektiv kamere pas fitores së tij në raundin e parë, në të njëjtën ditë kur 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në përleshjet me protestuesit serbë në qytetin e Kosovës të Zveçanit, ku babai i tenistit serb u rrit.