Tensionohet protesta, qytetarët përleshen me policinë, tentojnë të çajnë kordonin

Djegia e gomave dhe ndërhyrja e policisë për të shuar flakët ka tensionuar protestën e opozitës para Parlamentit.

Protestuesit përveçse kanë gjuajtur me vezë e fruta të ndryshme, i janë bindur thirrjes së Sekretarit Organizativ të PD, Klevis Balliu duke mësyrë drejt kordonit të policisë.

Ata kanë tentuar të shtyjnë forcat e rendit për të çarë kordonin e ngritur në hyrje të Parlamentit, me qëllimin për të hyrë brenda oborrit të këtij institucioni.

Ndërkohë policia ka marrë masa shtesë pas këtij momenti, duke stacionuar pranë kordonit makinën që shpërndan turmat duk hedhur ujë me presion.

Efektivëve u është dhënë ndërkohë urdhër që asnjë protestues të mos e kalojë gardhin në hyrje të Parlamentit, ndaj përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës nuk përjashtohet për t’i shpërndarë ata.

Policia ka përdorur edhe megafonin për t’u bërë thirrje protestuesve që të shmangin aktet e forcës dhe dhunës, e të mos tentojnë për të çarë kordonin duke u përleshur me efektivët.