Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur keqardhje për situatën e shkaktuar në Marok, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, i cili shkaktoi pasoja katastrofale.
Ministri ka shprehur gatishmërinë e plotë të FSK-së që të ofrojë ndihmë me të gjitha kapacitetet.
“Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin marokien lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
“Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!”, ka theksuar me këtë rast ministri Maqedonci.
Numri i viktimave nga tërmeti në Marok ka shkuar në mbi dy mijë të vdekur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nëpër fshatrat e shkatërruara ku shtëpitë me tulla balte, gurë dhe dru pësuan dëmtime dhe minaret e xhamive u rrëzuan nga tërmeti.