Profesori universitar i filozofisë së religjionit, Blerim Latifi thotë se kërkesa që të mos bëhen publike pagëzimet e njerëzve që po konvertohen nga myslimanë në katolikë nuk kanë brenda brengë për tolerancën fetare.
Bashkësia Islame e Kosovës para disa ditësh e mbajti një mbledhje ku tha se u diskutua edhe paraqitja e “disa lëvizjeve me fushata tendencioze, që atakojnë vlerat tona fetare dhe kombëtare, e të cilat po sulmojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë”. Myftiu Naim Tërnava tha se “këto paraqitje me këtë gjuhë të urrejtjes po e prishin harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare”.
Por Latifi thotë se “askush nuk reagonte me kaq zell” kur “tolerancën fetare e shkatërronin wahabët”.
“Pagëzohuni msheft! Nëpër katakombe, si të ishim në kohën e Neronit. Pagëzohuni jashtë kishave, nëpër shpija private e guva! Si të ishim në kohën e Pjetër Bogdanit. Mos e bëni publik pagëzimin! Si të ishim në kohën e Jashar Pashë Gjinollit, i cili masakronte kriptokatolikët e Anamoravës dhe në Drenicë donte të ndërtonte harem me vajzat shqiptare. Besoj e keni dëgju historinë për Drenicën e Pashës! Pothuajse e njëjta logjikë sot po u kërkohet shqiptarëve që me vullnet të lirë duan të bëhen të krishterë, duke shfrytëzu një të drejtë që ua njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, lirinë e besimit dhe të manifestimit publikisht të tij”, shkroi Latifi të martën në një postim në Facebook.
“Dhe pse? Gjoja për t’mos e prishur tolerancën fetare, të cilën kur e shkatërronin wahabët, askush nuk reagonte me kaq zell”, shtoi ai.
Sipas profesorit, në ato reagime “nuk është në pyetje brenga për tolerancën fetare”, por diçka tjetër.
Në pyetje është brenga se mos preken shokët dhe bashkëpunëtorët e shumtë në Kosovë të Mevludin Dudičit, i cili, me urdhër të shefit të tij në Beograd, ka nisur misionin antishqiptar të boshnjakizimit të Luginës së Preshevës, e më pas edhe të Kosovës”, shkroi Latifi.