Muaji tetor, por në Vlorë nuk ndalon plazhi. Përveç besnikëve të plazhit që marrin rreze edhe gjatë dimrit, në këto ditë me diell në plazhin e Vlorës gjen edhe turistë të shteteve të ndryshme dhe shqiptarë nga rajoni, shkruan A2 CNN.
“Gjithçka shumë bukur. Fantastike fare”, thotë një pushues. “Jam nga Ukraina. Kam ardhur me vajzën, djalin dhe bashkëshortin. Dita e dytë në Vlorë, një qytet mjaft i bukur dhe i pastër. Njerëzit janë mjaft miqësor”, thotë një turiste ukrainase. “Jam këtu prej një jave e gjysmë. Më patën folur për Vlorën, por tani që e shoh është më e bukur se sa ma kanë përshkruar. Kjo pjesë e Adriatikut nuk ka asgjë për t’i pasur zili detit të Sardenjës”, thotë një italian.
Muaji i dytë i vjeshtës e gjen Vlorën sërish një nga qytetet më të preferuara nga turistët e huaj, të cilët mes të tjerave shijojnë edhe detin edhe qytetin I cili është më pak i zhurmshëm se sa ditët e nxehta të sezonit veror.