Tragjedia në Shkodër/ Mjeku psikiatër: Alma Arrazi nuk rezulton me probleme të shëndetit mendor

Zhdukja e nënës Alma Arrazit dhe fëmijëve të saj në Shkodër, njëri prej të cilëve u gjet i pajetë në lumin Buna, ka tronditur opinionin publik. Në pranga është vënë bashkëshorti Ergys Arrazi, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tyre të mitur.

Gjon Preçi, mjek neuro-psikiatër, deklaroi për emisionin “ABC e mëngjesit” se nga verifikimet, nuk rezulton që gruaja të ketë pasur probleme të shëndetit mendor.

Ndërkohë, profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço thotë se është e pamundur që një vajzë 9-vjeçare të ketë kryer vetëvrasje, duke iu referuar deklaratës së policisë të dielën, ku thuhej se është vënë në pranga babai Ergys Arrazi, për shkaktim të vetëvrasjes së të bijës.

Gjon Preçi: Nuk na rezultoi një emër i njohur që të ketë kontaktuar për një problem të caktuar që mund të lidhet me shëndetin mendor të këtij personi apo të familjes së tij.

Neli Demi: Mungojnë shumë informacione për të dalë në një përfundim të tillë. I përket organeve të rendit dhe prokurorisë për të vërtetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur një ngjarje e tillë. Nëse ka pasur dhunë psikologjike apo fizike. Ne kemi akoma një viktimë të konfirmuar, që është një vajzë 9 vjeçare, dhe na mungojnë informacionet mbi pjesën tjetër të dinamikës. Jemi akoma në kërkim të tre shtetasve të tjerë, të cilët zyrtarisht akoma persona të cilët kanë humbur jetën.

Ervin Karamuço: Është një gafë. Pa paragjykuar, pa prova, shkaktim vetëvrasjeje, e merr dhe ngre akuzë kur ne ka trup akoma. Fëmija 9 vjeç nuk e vret veten. Ça është kjo polici që nga 2 maj deri në 5 maj nuk merret vesh se çfarë bëhet. Pamë në kamera dy varka të RENEA-s. Duhen 200 varka. Ke repartin në Vaun e Dejës. Paguaj të gjithë peshkatarët, vër në lëvizje krahun tjetër të Malit të Zi.