Tre akademikë të Kosovës, anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademikët Mehmet Kraja, Sabri Hamiti e Fejzullah Krasniqi janë zgjedhur anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Diplomat u janë dorëzuar të mërkurën në mbledhje ceremoniale në të cilën para anëtarëve të Asamblesë kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi, ka prezantuar kandidaturat e akademikëve, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tek ia ka dorëzuar diplomën akademik Mehmet Krajës, njëherësh kryetar i AShAK-ut, homologu u tij në Shqipëri ka lexuar motivacionin.

“Mehmet Kraja personalitet me veprimtari e kontribute të shumanshme në kulturën shqiptare, si tregimtar e romancier; si dramaturg e skenarist; si kritik letrar; publicist e eseist; si drejtues i disa prej tribunave më të rëndësishme të mendimit qytetar dhe letrar në historinë e Kosovës e veprimtar publik i vijës së parë në momente kyç për vendin; figurë qendrore akademike; autor i mbi 15 romaneve, 6 vëllimeve me tregime; 7 dramave dhe 11 shfaqjeve teatrore, si dhe i 5 vëllimeve me kritikë e studime; fitues i më shumë se 10 çmimeve dhe mirënjohjeve letrare e artistike në Shqipëri e në Kosovë; i njohur për pjesëmarrjen e tij referenciale në debatet më të rëndësishëm për identitetin e shqiptarëve, historinë politike të tyre, komplekset dhe psikozat kombëtare e raportet ndërshqiptare”, ka lexuar akademik Gjinushi. Në motivacion shkruan po ashtu se Kraja është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj prej dy mandatesh, “me një rol përcaktues për mbarësinë e nismave dhe projekteve më të rëndësishme shkencore me karakter mbarëkombëtar”.

Akademik Kraja, sipas njoftimit të ASHSH-së, ndër të tjera, ka shprehur falënderimin për përfshirjen në gjirin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë si anëtar i jashtëm dhe “vuri në dukje se kjo akademi pavarësisht nga ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur, ekzistenca e saj është shoqëruar me prurje idesh të lidhura ngushtë me dimensionin më vital të historisë së kombit shqiptar, me albanologjinë, me historinë, me shkencat e tjera shoqërore dhe ato të natyrës, të cilat përbejnë korpusin e madh të dijes dhe identitetit”.

“Studimet që kanë buruar nga ky institucion kanë synuar të zënë vendin e vlerave më të qëndrueshme dhe të arritjeve tona më të mëdha në fushën e shkencës dhe të dijes”, citohet të ketë thënë akademik Kraja. Sipas njoftimit, ai ka shprehur dëshirën të përçonte vetëm një mesazh.

“Se nxitja institucionale e një fryme idealiste në krijimtarinë shkencore dhe artistike ndoshta do t’i ndryshonte disa trendë negativë, në të cilat janë përfshirë shoqëritë tona. Kjo nuk ka të bëjë me politikën, e cila ka shumë të mësojë nga kjo frymë bashkëpunimi që ekziston mes dy akademive tona, por më shumë se kaq ka të bëjë me dijen si dinjitet dhe vlerë, që duhet të respektohet në mënyrë të ndërsjellë. Mbarë mileu shqiptar ka nevojë për këtë ristrukturim dituror”, është cituar ai.

Akademik Rexhep Mejdani ia ka dorëzuar diplomën akademik Sabri Hamitit, “studiues i mirënjohur i historisë së letërsisë shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme; me botime të thelluara posaçërisht për autorë dhe zhvillimeve të mënjanuara, të ndaluara apo të përjashtuara në historishkrimin e letërsisë në Shqipëri e në Kosovë”.

“I vlerësuar për rolin orientues të studimeve të tij në pikëpamje të shkollave letrare, duke përfshirë atë të grupimit vox clamantis in deserto; të ndërveprimit midis jetës dhe veprës së shkrimtarit; të përveçimit të tyre përmes stilit; me veprimtari universitare në gjithë hapësirën historike shqiptare; autor i mbi 50 veprave monografike studimore dhe letrare; fitues i shumë çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare për merita shkencore e krijuese, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, shkruhet në motivacion.

Akademik Sabri Hamiti citohet të ketë thënë se i është bërë një nderim i madh si shenjë mirënjohjeje dhe mirësie. “Dhe mirënjohja dhe mirësia është mirë të qëndrojnë bashkë, për të pasur një trekëndësh të komunikimit njerëzor, shpirtëror dhe intelektual”, është cituar akademik Hamiti.

Për akademik Fejzullah Krasniqin në motivacion ai është cilësuar si ”intelektual me veprimtari të shquar akademike dhe universitare në fushën e termofikimit e të rrjeteve termike, të termoenergjetikës dhe të termoteknikës, të termodinamikës energjetike, ngrohjes e klimatizimit”. “Titullar i disa prej disiplinave universitare të këtyre fushave në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e në Shqipëri; me një karrierë të suksesshme në drejtimin e njësive kërkimore universitare të disa niveleve; autor e bashkautor i mbi 110 artikujve shkencorë të botuar në revista brenda vendit dhe në tribuna shkencore të indeksuara jashtë; autor e bashkautor i tetë teksteve universitare dhe i katër studimeve monografike; bashkëpunëtor dhe kontribuues në projekte të përbashkëta ndërakademike; i njohur për kompetencën në zgjidhjen e problemeve të fushës së ekspertizës”, shkruhet ndër të tjera në motivacion. Ka qenë ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, ai që ia ka dorëzuar diplomën.

Akademik Krasniqi ka thënë se shkenca nuk ka kufij, është universale dhe se arritjet shkencore kanë kuptim vetëm kur janë në shërbim të plotë të njerizimit.

“Qenia anëtar i jashtëm për mua është një nder i madh që më sjell kënaqësi, të cilën dua ta ndaj bashkë me të gjithë anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, është cituar akademik Krasniqi.