Kjo është një pjesë e terrenit ku dy motrat nga fshati Hondisht i Pogradecit, detyrohen të përshkojnë çdo ditë për të vajtur dhe për t’u kthyer nga shkolla.
Rexhina dhe Renata duhet të ecin më shumë se një orë për të vajtur në shkollë dhe po kaq për t’u kthyer.
Kamera e A2 i shoqëroi në një ditë sakrificën që bëjnë dy motrat për t’u arsimuar.
“Shkojmë çdo ditë me dëshirë. Vetëm kur jemi të sëmura nuk shkojmë”, tregon më e madhja prej tyre.
Natyrisht, për shkak të rrugës dhe terrenit ato i shoqëron çdo ditë babai i tyre.
Teksa bisedojmë me vajzat e kupton menjëherë se largësia me shkollën vetëm sa u ka shtuar dëshirën e tyre për të mësuar dhe se duket sikur u ka hequr ndjenjën e ankesës.
“Jam në klasën e 6 dhe shkoj çdo ditë në shkollë më këmbë, e cila është një orë e gjysmë larg. Nuk ka ditë që mungojmë, si në borë dhe shi”.
“Jam 6 vjeç dhe shkoj në klasë të parë. Ecim më këmbë dhe lodhem ca”, shprehet më e vogla.
Dhe realisht, lodhja e përditshme nuk i shpërqendron gjatë orëve të mësimit, të cilat i ndjekin me korrektesë dhe thuajse pa asnjë mungesë.
Edhe babai i tyre duket se është i palodhur në sakrificën për të arsimuar vajzat, në dimër dhe në verë.
“Kam 6 vjeç që çoj vajzën e madhe. Është e vështirë, por e kemi detyrë. Në dimër është më e vështirë, por në fakt përdorim dhe kalin për vajzat”, tregon babai.
Dhe natyrisht arsimi me të tilla sakrifica meriton që vajzat të kenë edhe dëshira për të ardhmen e tyre.
Ditë edhe më të vështira do të vijnë me vjeshtën dhe dimrin, por dy motrat na përshëndesin të qeshura dhe të sigurta se do t’ia dalin.