Më 11 gusht 2022, mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martianj u zhduk në mënyrë misterioze.
Ishte familja e tij që alarmoi policinë e Laçit, pasi kishte humbur kontaktet me 40-vjeçarin, i shumëkërkuar nga policia.
Që prej asaj dite, askush nuk di asgjë për fatin misterioz të Martinajt. Ka dyshime se ai është vrarë nga kundërshtarët dhe i është zhdukur trupi.
Edhe pse Policisë së Shtetit iu vendos një ultimatum pre 100 ditësh nga kryeministri Rama për të kthyer përgjigje në lidhje me fatin e Martinajt, duket se policia nuk ka avancuar me hetimet pasi edhe sot pas 10 muajsh nuk ka asnjë përgjigje.
Kur u pa për herë të fundit Vis Martinaj?
Ervis Martianj, për herë të fundit, publikisht në qytetin e Laçit është parë më 18 korrik, datë kjo kur iu dha lamtumira e fundit tre viktimave që u vranë në Fushë Krujë, (kushëririt të tij )Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Makina “Toyota Land Cruiser” i blinduar, me të cilin lëvizte Ervis Martinaj, ka shoqëruar të gjithë vijimin drejt banesës së fundit të tre të vrarëve.
Kujtojmë se me makinën “Toyota Land Cruiser” lëvizte edhe Ylli Ibrahimi, i cili njihet si krahu i djathtë i Vis Martinajt bashkë me Klisman Preçin.
Klisman Preçi ishte viktima e radhës e atentateve që po marrin jetë njerëzish në aksin Fushë Krujë-Laç-Lezhë. Bashkë me të ishte dhe Ylli Ibrahimi, por ky i fundit mundi t’i shpëtojë atentatit duke qenë jashtë rrezikut për jetën në spital.
Kush është Ervis Martinaj
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.