Shërbimi i kundërzbulimit ushtarak i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe Marinës së Ukrainës kryen një operacion unik special pranë Yevpatoria natën e 13-14 shtatorit, duke shkatërruar sistemin rus të mbrojtjes ajrore Triumf, me vlerë 1.2 miliardë dollarë amerikanë.
Informacioni u raportua nga Ukrainian Pravda duke cituar burimet e saj në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës(SBU). Një burim i UP-së thotë se objektivi u sulmua nga dronë dhe raketa Neptun.
Së pari, dronët ukrainas goditën “sytë” e sistemit: radarët dhe antenat e tij. Pas çaktivizimit të stacioneve të radarit, njësitë e marinës goditën sistemin e lëshimit S400 Triumf, duke përdorur dy raketa lundrimi Neptun.
Neptun është një raketë kundër anijeve e prodhimit ukrainas bazuar në raketën sovjetike Kh-305, por me rreze të përmirësuar dhe elektronikë. Sistemi është menduar për shkatërrimin e anijeve luftarake dhe anijeve të transportit deri në 5000 tonë.
Zhvillimi i sistemit Neptun u njoftua në vitin 2013 dhe mostrat e para u testuan në vitin 2016. Është në përdorim nga Marina e Ukrainës që nga marsi i vitit 2021. Vetë raketa peshon rreth 870 kilogramë me një kokë lufte prej 150 kilogramësh dhe ka një rreze veprimi prej 280 kilometrash.