Kanë kaluar rreth gjashtë muaj që kur një juri e New York-ut e shpalli fajtor Donald Trumpin për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit si pjesë e skandalit të “hush money” (blerjes së heshtjes – ed.) të republikanëve.
Ishte hera e parë në historinë amerikane kur një ish-president u zbulua se kishte kryer krime të shumta.
Gjykatësi Juan Merchan dha të premten e 10 janarit një dënim me lirim të pakushtëzuar për presidentin e zgjedhur, raportoi NBC News.
Sipas ligjit të shtetit të New York-ut, është një dënim “pa mbikëqyrje me burgim, gjobë ose me kusht”.
Pra, një dënim i tillë mund të jetë i përshtatshëm kur gjyqtari “është i mendimit se nuk do të realizohej ndonjë qëllim i duhur duke vendosur ndonjë kusht për lirimin e të pandehurit”.
Merchan e dënoi Trump-in me lirim pa kushte për 34 akuza të falsifikimit të të dhënave të biznesit.
“Në të njëjtën kohë unë vendos atë dënim për të mbuluar të 34 pikat”, tha ai.
Merchan e uroi Trump po ashtu për mandatin e tij të dytë në detyrë.
Presidenti i zgjedhur dhe ekipi i tij i mbrojtjes ligjore eksploruan çdo mundësi të mundshme për të prishur dënimin në këtë rast, madje duke apeluar në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, duke vënë në dukje vendimin e saj shumë të diskutueshëm të imunitetit nga viti i kaluar.
Ndërsa katër juristë të emëruar nga republikanët – gjyqtarët Clarence Thomas, Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – treguan një ditë para dënimit se do të ishin në anën e të pandehurit, ata ishin në pakicë.
Presidenti i zgjedhur republikan u përball me të vetmen gjë që u përpoq dëshpërimisht të shmangte: përgjegjësinë për keqbërje.
Një natë përpara dënimit, përmes platformës së tij të mediave sociale, presidenti i zgjedhur u zotua të apelojë vendimin.