Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, reagoi pas rrëzimit të pushtetit të presidentit Bashar al-Asad dhe foli për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se Asadi ka braktisur vendin.
“Asadi nuk është më. Ai iku nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, Rusia, Rusia, me Vladimir Putinin në krye, nuk ishte më e interesuar ta mbronte atë. Nuk kishte asnjë arsye që Rusia të ishte fare atje. Ata humbën çdo interes për Sirinë për shkak të Ukrainës, ku rreth 600,000 ushtarë rusë kanë humbur jetën ose janë plagosur në një luftë që nuk duhej të fillonte kurrë dhe që mund të zgjasë përgjithmonë. Rusia dhe Irani janë aktualisht në një gjendje të dobësuar, njëri për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së dobët, tjetri për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak,” tha Trump.
Ai theksoi se qëllimi i tij është që të arrihet paqja për Zelenskin dhe Ukrainën.
“Ata kanë humbur, në mënyrë absurde, 400,000 ushtarë dhe shumë më tepër civilë. Duhet të ndodhë një armëpushim i menjëhershëm dhe të fillojnë negociatat. Shumë jetë po humbasin kot, shumë familje janë shkatërruar, dhe nëse kjo vazhdon, mund të kthehet në diçka shumë më të madhe dhe shumë më të keqe. E njoh mirë Vladimirin. Ky është momenti i tij për të vepruar. Kina mund të ndihmojë. Bota po pret!” përfundoi Trump.