Trump: SHBA-ja duhet ta ketë Grenlandën për shkak të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare

Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëri ka shprehur ambiciet e tij për kontrollin amerikan mbi Grenlandën, duke e justifikuar synimin e tij me atë që ai i quajti shqetësime të sigurisë.

“Ne kemi shumë nevojë për Grenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare. Duhet të bëjmë diçka me Grenlandën”, u tha Trump gazetarëve në “Air Force One”, siç raportohet nga “Forbes Breaking News”.

I pyetur nëse çështja është “pjesë e ndonjë diskutimi që po bëni me evropianët dhe (presidentin rus Vladimir) Putin”, Trump u përgjigj negativisht.

“Ne duhet ta kemi Grenlandën për shkak të tablosë së sigurisë kombëtare, edhe më shumë tani sesa do të kishte qenë 20 vjet më parë, 30 vjet më parë, kur flitej për të edhe atëherë”, tha Trump.

“E dini, flisnin për këtë. Vite më parë, flisnin për Grenlandën. Por tani, me armatim modern, aeroplanë dhe shpejtësinë e avionëve dhe të gjitha gjërat; kështu që ne duhet ta kemi Grenlandën”, argumentoi ai.

Grenlanda, një territor nën sovranitetin danez që nga viti 1953, ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale. Tensionet u rritën pasi Trump refuzoi të përjashtonte veprimet ekonomike ose ushtarake për të siguruar Grenlandën, duke pretenduar se vendi është kritik për “mbrojtjen e botës së lirë”.

Trump e ka përshkruar më parë zotërimin e Grenlandës si “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar blerjen e ishullit me një “marrëveshje të madhe të pasurive të paluajtshme”.

Ngjashëm me planin e tij për të dëbuar palestinezët nga Gaza dhe për të “rregulluar” enklavën, të cilën ai e karakterizoi gjithashtu si “një vend i madh i pasurive të paluajtshme”, planet e Trumpit për Grenlandën janë refuzuar me vendosmëri si nga Danimarka, ashtu edhe nga banorët e ishullit.