Trupi i Faton Hajrizit kthehet në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një komunikate për media, të premten ka njoftuar se trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka mbërritur në Kosovë.

Ndonëse MPJ nuk e ka potencuar se trupi i pajetë është i Faton Hajrizit, një gjë e tillë është konfirmuar nga avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.

MPJ ndër të tjera ka potencuar se trupi i pajetë i Faton Hajrizit do t’i nënshtrohet ekzaminimeve shtesë.

“Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”.

Konfirmimi se trupi në morgun e Loznicës në Serbi është i Faton Hajrizit, ishte bërë pas analizimit të materialit të marrë nga strishoja e nënës së Fatonit.

Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.

Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.

Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com