Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit.
ëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Kjo ngjarje shënon fillimin e rrugës drejt shtetit dhe identitetit kombëtar, ku u hodhën themelet e vetëdijes dhe bashkimit territorial. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.
Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare, shkruan Panorama.
Prej Lidhjes doli një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet financiare ishte Sulejman Vokshi. Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet.
Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane.
Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës. Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin pashë Dino, duke përdorur më së miri artin diplomatik, penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë. Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokolit, të cilat u shkaktuan humbje të rënda forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me vendosmëri Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Jehona e kësaj ngjarjeje në arenën ndërkombëtare ishte shumë e madhe duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe duke sjellë akoma më tepër në vëmendje vendosmërinë e shqiptarëve për aspiratat e tyre politike dhe patriotike.