U dhunuan nga një grup personash në Mal të Zi, kthehen tre shqiptarët, identifikohen autorët

Tre shqiptarët, të cilët u dhunuan barbarisht nga një grup personash mbrëmjen e së shtunës në Mal të Zi, janë kthyer në Shqipëri me dëshirën e tyre.

Policia e Shtetit bën të ditur se ata janë kthyer në Shqipëri pasi dhanë deklarime në policinë malazeze në prani të një avokati,  njohës të gjuhës shqipe dhe përfaqësuesve të ambasadës  shqiptare në Malin e Zi.

Siç bëhet e ditur, drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shqiptarët t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi.

Ata, bëhet e ditur se kanë mbërritur në Muriqan rreth orës 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër. Pasi kanë kryer kontrollet mjekësore, rezulton se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Policia e Malit të Zi bën të ditur se po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes. Ndërkohë, janë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre