U keqësohet gjendja edhe gjashtë minatorëve të tjerë të “Trepçës” gjatë grevës

Numri i minatorëve të “Trepçës”, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor për shkak të grevës që po e mbajnë tash e gjashtë ditë, çdo ditë po shkon duke u rritur.

Vetëm gjatë ditës së diel, gjashtë minatorë janë dërguar në Emergjencë për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar.

Siç kanë bërë të ditur për KOHËN minatorët, katër prej tyre janë dërguar gjatë natës, ndërsa dy të tjerë gjatë paradites.

Mjeku Ridvan Ramaxhiku, i cili po qëndron pranë grevistëve, ka thënë se vetëm të dielën 18 minatorë kanë pranuar tretman, dy prej të cilëve janë dërguar në Emergjencë, ndërsa të tjerët për kokëdhimbje.

“Unë quhem Ridvan Ramaxhiku, punoj në Emergjencë pranë QKMF-së, këtu kemi ardhur për nevojat e minatorëve që kanë hyrë në grevë. Gjatë ditës së sotme i kam pasur 18 raste, dy i kemi dërguar në Emergjencë, shumica prej tyre kanë pasur tretman për kokëdhembje për shkak të presionit arterial. Disa kanë pasur mundime ose dhimbje trupore, kështu që këto raste të gjitha i kemi trajtuar me mundësitë tona që i kemi këtu. Kemi edhe disa punëtorë që edhe vetë janë të sëmurë, mund t’u keqësohet gjendja edhe atyre. Ka pasur të tillë që nuk e kanë pranuar terapinë, duke u deklaruar se e kanë terapinë e vet. Mjetet i kemi të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Minatorët kanë bërë thirrje urgjente për kryeministrin Albin Kurti që t’i vizitojë, në mënyrë që kërkesat e tyre të mund të përmbushen.