Ismail Kadare ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 88 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të papërsëritshme në fushën e letërsisë shqipe, europiane dhe jo vetëm.
Kadare lindi më 18 janar të vitit 1936 në Gjirokastër ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 u diplomua në degën “Gjuhë Letërsi” në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë ku studio për 2 vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në vitet 1958-1960. Ai nisi të shkruajë proza që në rininë e hershme, duke e nisur fillimisht me poezi me të cilat u bë i njohur. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.
Emri i tij u njoh ndërkombëtarisht, që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga diktatori Enver Hoxha.
Ismail Kadare, ka qenë edhe ish deputet i Kuvendit popullor në vitet (1970-1982). Pavarësisht se njihej për shkrimet e tij në prozë, ku u bë prozatori kryesor shqiptar, kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Para vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, Kadare, emigroi për në Francë, ku kërkoi azil politik në Paris. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005,[9] çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Deri më sot, veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në 45 gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe në sytë e botës.
Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.
Pasi jetoi për disa vite në Paris, Kadare u kthye në Shqipëri, ku së fundmi në tetor të vitit të kaluar u nderua edhe nga presisdenti francez Emanuel Macron me titullin e “Legjionit të Nderit” të Francës. Kadare ka kandiduar për të marrë çminin “Nobel” në letërsi 15 herë, por fatkeqësisht nuk e fitoi. Pavarësisht kësaj, ndër vite ai është renditur si pretendentët më kryesorë. Versus.al