Brenda pak ditësh, një nga vrasësit më monstruoz të klanit “Zemun” duhet të ulet në aeroportin e Sarajevës.
Mirëpo, rrethanat në të cilat ai shkon në BeH janë të mjegullt, misterioze dhe një skandal i madh është në prag, shkruan Raport.
Më 17 janar, një aeroplan nga Spanja është paraparë të ulet në Sarajevë, me një nga vrasësit më të famshëm me qira të klanit famëkeq Zemun, Sinisha Petriq Zenica.
Sipas informacioneve të raportit, ai ka kërkuar që të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në Bosnje-Hercegovinë, gjë që është pranuar nga Gjykata e Qarkut në Banja Luka në rrethana të çuditshme.
“Nuk është e qartë se mbi çfarë baze gjykata e Banja Lukës e ka pranuar kërkesën e tij, duke qenë se nuk është kompetente në asnjë bazë. Gjykata në Zenicë mund të kishte juridiksion mbi të, bazuar në vendlindjen e tij, sepse Petriqi lindi në atë qytet, ku edhe mori pseudonimin. Është interesante se Petriqi nuk kishte vendbanim të regjistruar në Bosnje dhe Hercegovinë. Spanja, natyrisht, nuk e ka problem ta heqë qafe atë”, shkruan gazeta.
Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Banja Lukë, Petriq do të transferohet në burgun në Foçë.
Ai duhet të kalojë tre vjet atje, por supozohet se do të qëndrojë një vit, për shklak të sjelljeve të mira. Pas kësaj, shkruan Raport, ai është njeri i lirë.
Ky vendim i gjykatës, siç zbulon Raporti, ka ndezur alarmin në të gjitha agjencitë e policisë dhe inteligjencës në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat janë habitur nga vendimi sepse praktikisht nuk dinin asgjë për të.
“Pyetja që shtrohet është se si është rënë dakord për këtë ‘ekstradim’ dhe në çfarë kushtesh dhe nëse Ministria e Drejtësisë e Bosnjë-Hercegovinës ka ditur për këtë. Fakt është se për çdo gjë është informuar edhe Prokuroria e BeH-së, e cila ia ka përcjellë informacionin OSA-së. Megjithatë, të dyja institucionet i kanë duart e lidhura, pasi vendimi i Gjykatës së Qarkut në Banja Lukë është përfundimtar dhe detyrues. Ajo që shqetëson policinë dhe agjencitë e inteligjencës është se çfarë do të ndodhë me Petriqin pasi të dalë nga burgu, duke qenë se ai njihet si psikopat për të cilin vrasja e njerëzve është një përshkrim normal i punës. Është veçanërisht shqetësuese që emri i Petriqit përmendet shpesh në aplikacionin Sky nga kriminelë të tjerë që e shohin atë si një lloj hyjni mafioze. Fakti që shefi i tij, Bojoviq, aktualisht është në liri dhe sipas raporteve të shumta tashmë po mbledh ushtrinë e tij mafioze, është një arsye shtesë që alarmet të bien”, shkruan Raport.
Sinisha Petriq Zenica, për të cilën policia supozon se është vrasësi kryesor në klanin e Luka Bojoviq Pekar me të cilin u arrestua në Spanjë, është i dyshuar në Serbi për udhëheqjen e një skuadre ekzekutive në Kosovë që vrau rreth 95 shqiptarë të burgosur në burgun e Dubravës.
Në vitin 1999, Petriq u transferua nga Zabela e Pozharevcit në Dubravë, pasi filluan bombardimet e NATO-s. Para kësaj, dënimi me vdekje që ai u dënua si anëtar i grupit famëkeq të Marinko Magda (sepse ai vrau familjen tre anëtarësh të Milan Petriqit, gruan e tij Stanën dhe djalin dhjetë vjeçar Danet për shkak të një grabitjeje në janar 1994) u ndryshua në 15 vjet burg.
“Petriqin e transferuan në Dubravë me 11 të burgosurit më kokëfortë nga Zabela. U dërguan edhe armë: 39 automatikë, 12 mitralozë, një sasi e madhe granata dore dhe municion të armëve të lehta. Në atë kohë, në Dubravë ishin 1004 të burgosur, 90 për qind e të cilëve ishin shqiptarë. Ai u zgjodh për të drejtuar togën e cila në marrëveshje me gardianin e burgut duhet të vriste të burgosurit shqiptarë” hotë një burim i “Blic” njohës i hetimeve të drejtuara nga Prokuroria për Krime Lufte në një tekst të publikuar në vitin 2012. Togës së Petriqit sipas këtij teksti iu dhanë armë dhe gojarisht u premtuan se do të ishin të lirë nëse do të vrisnin të burgosurit shqiptarë.